Shqipëria Postuar më 29 October 2026, 12:53

196 mln euro për fermerët - Si shpërndahen paratë? 58 milionë euro për Skemën

Nga Elisabeta Dosku

196 mln euro për fermerët - Si shpërndahen paratë? 58

Afro 17.9 miliardë lekë apo rreth 196.5  milionë euro do të shpenzohen për sektorin bujqësor gjatë vitit 2027.  Financimi për bujqësinë është rritur me afro 1.7 miliardë lekë apo 18.6 milionë euro në raport me buxhetin fillestar  por sërish mbetet në nivel të ulët për nevojat aktuale të këtij sektori për mbështetje me qëllim zgjerimin e prodhimit, rritjen e cilësisë dhe eksportin.

Por si shpërndahen fondet?

Pjesa më e madhe e fondeve, afro 8.4 miliardë lekë shkojnë për zërin e zhvillimit rural, ku përfshihet mbështetja direkte për fermerët përmes skemës së subvencioneve, prodhimi bujqësor, blegtoral, agroindustria, etj. Në këtë zë janë shtuar rreth 700 milionë lekë  euro në raport me vitin 2026.

Ndërkohë një zë të rëndësishëm në buxhet zë menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, program për të cilin janë akorduar 4.3 miliardë lekë. Shtesa e fondeve për vitin 2026 për ujitjen dhe kullimin është rreth 700 milionë lekë.

Afro 3 miliardë lekë do të shkojnë për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, një sektor që ende është problematik, dhe që ka nevojë për mbështetje edhe në kuadër të përgatitjes së bizneseve agroushqimore për në tregun e BE. 

626 milionë lekë është buxheti që do të shkojë si mbështetje për peshkimin, i cili ka pësuar një rritje shumë të lehtë nga viti i kaluar,  871 milionë lekë për këshillimin e fermerëve dhe informacionin bujqësor, dhe 25 milionë lekë për menaxhimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore. 

Vetëm nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi pritet të përfitojnë rreth 43,660 përfitues, numër i cili do të rritet edhe më tej në periudhën afatmesme. Për skemën parashikohet një shtesë fondesh prej 100 milionë lekë duke bërë që në total, skema e mbështetjes direkte të ketë një fond të dedikuar prej 5.3 miliardë lekë.

Ndërkohë që do të vijojë të zbatohet skema e kompensimit të TVSH-së me 10% për fermerët, me një fond vjetor prej 3 miliardë lekësh. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat