Me laps dhe letër Postuar më 29 October 2026, 11:33

Sa na takon nga buxheti? Vetëm 235 lekë në ditë për investime! Si ndahet “torta” e buxhetit 2027?

Nga Xhorxhina Deda

Sa na takon nga buxheti? Vetëm 235 lekë në ditë për

Sa shpenzon shteti për çdo shqiptar dhe ku shkojnë paratë publike? Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon rreth 976 miliardë lekë shpenzime, por vetëm një pjesë e tyre do të përdoret për investime. Pjesa më e madhe shkon për pensione, paga, shërbime publike dhe detyrime të tjera të shtetit.

“Scan Intel” ka bërë një përllogaritje për të kuptuar se sa para buxhetohen për çdo banor dhe si shpërndahen ato mes sektorëve të ndryshëm.

Duke marrë si bazë popullsinë e parashikuar prej rreth 2.33 milionë banorësh, rezulton se shteti planifikon të shpenzojë mesatarisht 418 mijë lekë për frymë në vit, ose 1,145 lekë në ditë. Por, kjo shumë nuk përfaqëson para që qytetarët marrin drejtpërdrejt, por shpenzimet e përgjithshme të shtetit të ndara statistikisht sipas popullsisë.

Por si ndahet kjo shumë?

Sipas përllogaritjeve të Scan Intel, nga 1,145 lekë në ditë, rreth 903 lekë shkojnë për shpenzime korrente, ku përfshihen pensionet, pagat, shërbimet publike dhe interesat e borxhit. Ndërkohë, vetëm 235 lekë, ose 20.5% e buxhetit, parashikohen për shpenzime kapitale, kryesisht investime publike. Pjesa e mbetur, rreth 7 lekë, përfaqëson fonde ende të pashpërndara.

Po cilët sektorë marrin pjesën më të madhe të buxhetit?

Sipas shifrave, mbrojtja sociale kryeson me 256.2 miliardë lekë, ose mbi një të katërtën e shpenzimeve totale. Këtu përfshihen kryesisht pensionet dhe përfitimet e tjera sociale.

Në vendin e dytë renditet shëndetësia, me 85.9 miliardë lekë, e ndjekur nga çështjet ekonomike, me 81.9 miliardë lekë.

Për arsimin parashikohen 73.7 miliardë lekë, ndërsa për shërbimet e përgjithshme publike 69.3 miliardë lekë. Mbrojtja kombëtare merr 61.1 miliardë lekë dhe rendi e siguria publike 56.7 miliardë lekë.

Më pak fonde planifikohen për strehimin dhe shërbimet komunitare, me 42.5 miliardë lekë, si dhe kulturën, argëtimin dhe çështjet fetare, me 7.9 miliardë lekë. Në fund renditet mbrojtja e mjedisit, me vetëm 1.35 miliardë lekë. Ndërkohë, 239.5 miliardë lekë mbeten të paklasifikuara sipas funksioneve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat