Shqipëria Postuar më 29 October 2026, 12:55

Financohen barna e spitale - Si do të ndahen 87,2 miliardë lekët e shëndetësisë? 

Nga Fabjona Pasho

Financohen barna e spitale - Si do të ndahen 87,2 miliardë lekët

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pritet të financohet me rreth 89,74 miliardë lekë gjatë vitit 2027. Sipas projektbuxhetit, për sektorin e shëndetësisë, financimi i përgjithshëm llogaritet në 87,2 miliardë lekë. Brenda këtij portofoli, kujdesi dytësor, ku përfshihen shërbimet spitalore, merr pjesën më të madhe me 47,19 miliardë lekë. Për vitin 2027 parashikohet trajtimi i rreth 371 mijë pacientëve në spitale, mbulimi i mbi 14 mijë pacientëve me paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, si dhe realizimi i 227 mijë seancave të dializës. Po kështu, relacioni parashikon fonde të dedikuara për trajtime të specializuara, si 480 milionë lekë për trombektominë për 250 pacientë, 70 milionë lekë për rikonstruksionin e gjirit për 350 paciente dhe 37,5 milionë lekë për trajtimin e infertilitetit për 200 çifte.

Kujdesit parësor i akordohen 3,59 miliardë lekë, me objektiv kryesor arritjen e rreth 7,44 milionë vizitave gjatë vitit, duke përfshirë investimet në qendrat shëndetësore dhe ambulanca. Ndërkohë, shërbimet e shëndetit publik financohen me 4,95 miliardë lekë, ku ndër masat e parashikuara janë vaksinimi kundër gripit sezonal i rreth 300 mijë personave dhe vijimi i depistimeve për kancerin e gjirit dhe të qafës së mitrës.

Për barnat dhe pajisjet mjekësore, projektbuxheti parashikon një financim shtesë prej 1 miliard lekësh, duke synuar trajtimin me receta të rimbursueshme të 400 mijë pacientëve, ndërsa projektligji përcakton një tavan prej 14,5 miliardë lekësh për rimbursimin e medikamenteve në fondin e sigurimit shëndetësor.

Investimet brenda programeve shëndetësore arrijnë në rreth 5,29 miliardë lekë, të shoqëruara edhe me fondin e veçantë për pajisje mjekësore. Sipas planeve të investimeve, parashikohet ndërtimi, rehabilitimi dhe modernizimi i rreth 20 spitaleve në vend. Lista e investimeve për vitin 2027 përfshin rreth 419 milionë lekë për godinën e re multifunksionale të Spitalit Rajonal të Korçës, 272 milionë lekë për godinën e djegie-plastikës në QSUT, 260 milionë lekë për maternitetin e Shkodrës, si dhe vijimin e financimeve për spitalet e Pogradecit, Lushnjës, Matit, Dibrës, Gjirokastrës dhe Urgjencën e Spitalit të Durrësit. Ndërkohë, modernizimi i infrastrukturës digjitale në shëndetësi mbështetet me një fond prej rreth 518 milionë lekësh.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat