Shqipëria Postuar më 29 October 2026, 13:36

Afterschool deri në orën 17:00 - Arsimi, 93,6 miliardë lekë në 2027-ën. Synohet modernizimi i shkollave 

Nga Fabjona Pasho

Afterschool deri në orën 17:00 - Arsimi, 93,6 miliardë

Qeveria parashikon një rritje të konsiderueshme të financimeve për arsimin gjatë vitit 2027, ku shpenzimet e përgjithshme publike për këtë sektor pritet të arrijnë në 93,6 miliardë lekë, apo 4,5 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Nga ky fond i madh shtetëror, buxheti i alokuar drejtpërdrejt për Ministrinë e Arsimit kap vlerën e 67,95 miliardë lekëve, ku peshën kryesore e zënë pagat e mësuesve, shpenzimet operative dhe investimet në infrastrukturën shkollore.

Lidhur me ndarjen sipas cikleve arsimore brenda Ministrisë së Arsimit, peshën më të madhe e zënë arsimi bazë dhe parashkollor me mbi 37,99 miliardë lekë. Arsimi universitar financohet me rreth 14,23 miliardë lekë, arsimi i mesëm i përgjithshëm me 12,31 miliardë lekë, ndërsa arsimit të mesëm profesional i akordohen mbi 5,06 miliardë lekë. Gjithashtu, plani i investimeve kapitale parashikon vijimin e financimeve për ndërtimin, rehabilitimin dhe digjitalizimin e shkollave e kopshteve në territorin e vendit.

Përmes një fondi prej 500 milionë lekësh për programin "Pas Shkollës" ose "After School", synohet zgjatja e orarit ditor deri në orën 17:00 për fëmijët e arsimit bazë, duke iu ofruar atyre ndihmë me detyrat dhe aktivitete jashtëkurrikulare. Plani i financimeve mbyllet me 400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e godinave të arsimit bazë, si dhe 100 milionë lekë të tjera që i kalojnë kërkimit shkencor në universitetet publike.

Përveç këtyre nismave të reja, paketa e shpenzimeve përfshin mbështetje të gjerë sociale për nxënësit dhe studentët në të gjithë vendin. Për arsimin e lartë akordohen 1,1 miliardë lekë shtesë për rritjen e bursave për studentët në nevojë, me qëllim lehtësimin e kostove të studimit dhe akomodimit. Ndërkohë, buxheti mbulon 100% pa pagesë tekstet shkollore për rreth 215 mijë nxënës të arsimit bazë dhe mbi 16 mijë nxënës të mesëm nga kategoritë e veçanta sociale.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat