Analiza Postuar më 29 October 2026, 12:39

Bizneset “larg” huave/ Individët, 37% më shumë kredi të reja. Depozitat afër 1.6 trilionë lekëve

Nga Xhorxhina Deda

Bizneset “larg” huave/ Individët, 37% më shumë kredi

Kreditimi në ekonomi vijoi të zgjerohet edhe gjatë shtatorit, ndërsa huatë e reja shënuan vetëm një rritje të lehtë. Në të njëjtën kohë, depozitat vazhduan të shtohen, me një ritëm dukshëm më të fortë në monedhën vendase.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, portofoli total i kredisë arriti në 1.015 trilion lekë në fund të shtatorit 2026, nga 1.007 trilion lekë një muaj më parë. Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur kredia ishte rreth 901.8 miliardë lekë, rritja arrin në 12.5%.

Zgjerimi është mbështetur si nga kredia për biznesin, ashtu edhe nga ajo për sektorët e tjerë rezidentë. Vetëm kredia për korporatat jofinanciare private arriti në rreth 548 miliardë lekë, ndërsa për sektorët e tjerë rezidentë në mbi 432 miliardë lekë.

Ndryshe nga stoku total, kredia e re u rrit me ritëm shumë më të moderuar. Gjatë shtatorit bankat dhanë 35.2 miliardë lekë hua të reja, nga 34.2 miliardë lekë një vit më parë, ose rreth 2.9% më shumë.

Brenda kësaj shifre vihet re një kontrast i fortë. Kredia e re për bizneset private ra me rreth 9.9%, në 22.1 miliardë lekë. Në të kundërt, kreditimi i individëve u rrit me 37.4%, duke arritur në 13.1 miliardë lekë.

Në rritje vijuan edhe depozitat. Në fund të shtatorit ato arritën në 1.587 trilion lekë, rreth 9.4% më shumë se një vit më parë.

Rritja ishte veçanërisht e fortë te depozitat në lekë, të cilat u zgjeruan me 16.8%, në rreth 796 miliardë lekë. Depozitat në valutë u rritën vetëm me 2.8%, në 790.6 miliardë lekë. Kështu, depozitat në lekë ruajtën epërsinë e krijuar muajin e kaluar, duke përbërë tashmë pak më shumë se gjysmën e totalit të depozitave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat