Shqipëria Postuar më 29 October 2026, 11:09

Si ndahen 10.7 mld euro? - Shëndetësia, arsimi, infrastruktura dhe mbrojtja zënë peshën kryesore

Nga Elisabeta Dosku

Si ndahen 10.7 mld euro? - Shëndetësia, arsimi, infrastruktura dhe

Afro 976.1 miliardë lekë  apo mbi 10.7 miliardë euro planifikohen të shpërndahen gjatë vitit 2027 për të financuar sektorët prioritarë të ekonomisë. 
Por si do të shpërndahen fondet dhe cilat janë institucionet që marrin më shumë para’?

Referuar projektbuxhetit të miratuar në qeveri dhe depozituar për diskutim në Kuvend,  edhe për vitin e ardhshëm, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, infrastruktura dhe energjinë,  arsimi, ushtria do të jenë ndër më të financuarit.

Konkretisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale merr pjesën më të madhe të “tortës buxhetore”, afro 89.7 miliardë lekë në vitin 2027, ku veç pagave të bluzave të bardha përfshihen edhe investimet e parashikuara në këtë sektor. Kjo mininistri merr afro 3.3 miliardë lekë më shumë se buxheti 2026 i rishikuar me akt normativ.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ketë një buxhet prej 75.4 miliardë lekësh, duke u fokusuar më së shumti në investimet në  projekte të ndryshme rrugore dhe hekurudhore.  Rritja për këtë institucion është me afro 14.1 miliardë lekë në raport me aktin normativ të buxhetit 2026.

Një peshë të rëndësishme në buxhet zë edhe Ministri a Mbrojtjes, me një buxhet total prej rreth 76.6 miliardë lekë apo 7.4 miliardë lekë më shumë se vitit 2026,  ku pjesa më e madhe shkon për forcat e luftimit dhe në përmbushje të detyrimit që ka Shqipëria në kuadër të NATO-s për një buxhet mbi nivelin 2% të PBB-së.

Ministrisë së Arsimit i është dedikuar një buxhet prej 67.9 miliardë lekësh, në të cilin përfshihen pagat për mësuesit si dhe investimet e parashikuara në këtë sektor si dhe rritja e mbështetjes për studentët.  Arsimi merr afro 2.8 miliardë lekë më shumë në raport me këtë vit. 

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ketë një buxhet prej 42 miliardë lekësh, ku peshën më të rëndësishme e mbajnë pagesat për pensionistët dhe ato sociale, ndërsa një shifër e konsiderueshme prej 5 miliardë lekësh shkon për investime në arsimin e mesëm profesional. 

Buxhet i konsiderueshëm prej 36.7 miliardë lekë shkon dhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme ku përfshihen pagat e Policisë së Shtetit, rritja e për 8500 punonjës dhe pagat e Gardës së Republikës. 

17.9 miliardë lekë do të shkojnë për Ministrinë e Bujqësisë ku pjesa më e madhe e fondeve të akorduara shkon për mbështetjen e fermerëve, rritjen e prodhimit dhe eksportin. Buxheti për bujqësinë është rritur me 1.5 miliard lekë në raport me aktin normativ të ndryshimeve buxhetore të qershorit 2026.

Ministria e Drejtësisë do të marrë një buxhet prej 15.7 miliardë lekësh; Ministria e Financave do të ketë një buxhet prej 13.6 miliardë lekësh, Ministria e Turizmit 7.6 miliardë lekë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme 3.9 miliardë lekë dhe Ministria e Mjedisit 3.2 miliardë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat