Analiza Postuar më 29 October 2026, 11:06

Vlora bëhet më e shtrenjta/ Çmimi mesatar i banesave arriti në 2,700 euro/m² duke tejkaluar Tiranën

Nga Eldiona Serani

Vlora bëhet më e shtrenjta/ Çmimi mesatar i banesave arriti

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri vijoi të shfaqë ecuri pozitive sipas raportit të Deloitte Index Property Report 2026  ku thuhet se vijon rritja e çmimeve të banesave, shtim të blerjeve të financuara përmes kredive hipotekore dhe interes në rritje nga blerësit e huaj. Sipas të dhënave të raportit të Deloitte, çmimi mesatar i kërkuar për banesat në nivel kombëtar arriti në rreth 1,720 euro për metër katror, nga 1,620 euro në vitin 2024, duke reflektuar një rritje të vazhdueshme të vlerës së pronave në tregun vendas.

Rritja nuk ishte e njëjtë në të gjitha zonat e vendit. Ndërsa tregu i Tiranës vijoi të mbështetej nga zhvillimi urban dhe kërkesa e qëndrueshme, zonat bregdetare shënuan rritje më të fortë të çmimeve, duke kontribuar ndjeshëm në ecurinë e përgjithshme të tregut të banesave.

Tregjet bregdetare vijuan të tërhiqnin interesin e blerësve, me Vlorën që regjistroi një nga rritjet më të dukshme të çmimeve. Sipas raportit, çmimi mesatar i kërkuar për banesat në këtë qytet arriti në rreth 2,700 euro për metër katror në vitin 2025, nga 2,400 euro një vit më parë.

Edhe Durrësi shënoi një rritje të konsiderueshme. Çmimi mesatar i banesave arriti në rreth 1,650 euro për metër katror, nga 1,330 euro në vitin 2024. Këto zhvillime tregojnë se kërkesa për prona në qytetet bregdetare po vijon të mbështesë rritjen e vlerës së tyre, në një treg ku interesi lidhet si me përdorimin për banim, ashtu edhe me mundësitë e investimit.

Në Tiranë, çmimi mesatar i kërkuar u rrit në rreth 2,100 euro për metër katror, nga 2,000 euro një vit më parë. Zhvillimi i vazhdueshëm urban dhe kërkesa për banesa mbetën faktorë mbështetës për çmimet, megjithëse ritmi i rritjes rezultoi më i moderuar krahasuar me disa zona bregdetare.

Të dhënat e raportit përfshijnë çmimet e banesave pa bërë dallim mes ndërtesave të reja dhe atyre ekzistuese. Për rrjedhojë, vlerat e raportuara përfaqësojnë një mesatare të tregut dhe jo çmimet e një kategorie të vetme pronash.

Vlora bëhet më e shtrenjta/ Çmimi mesatar i banesave arriti

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat