Shqipëria Postuar më 15 October 2026, 10:28

Nga bojkoti te përplasjet - Studentët vijojnë revoltën, Tirana zgjohet mes gjurmëve të protestës

Nga Scan TV

Nga bojkoti te përplasjet - Studentët vijojnë revoltën,

Protestat studentore kanë hyrë sot në ditën e tretë, ndërsa Tirana ende mbart gjurmët e tensioneve dhe përplasjeve të së mërkurës. Pas një dite të shoqëruar me zjarre, dëmtime të institucioneve dhe bizneseve, si dhe ndërhyrje të policisë, edhe mëngjesi i kësaj të enjteje ka nisur me bojkot të mësimit dhe grumbullime të nxënësve e studentëve. Por çfarë ndodhi dje në kryeqytet?

Protesta ishte paralajmëruar për në orën 14:00, por grumbullimet nisën që në orët e paradites. Nxënës dhe studentë nga fakultete të ndryshme, përfshirë Mjekësinë, Drejtësinë, Ekonomikun, Universitetin Bujqësor dhe Universitetin Politeknik, lanë auditorët dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.

Përveç kërkesave për përmirësimin e kushteve të studimit, uljen e kostove dhe mbështetje më të madhe financiare, gjatë tubimit u dëgjuan edhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe kundër përfaqësuesve të opozitës.

Situata u tensionua përpara Ministrisë së Arsimit, ku persona nga radhët e protestuesve hodhën gurë dhe sende të forta në drejtim të godinës dhe forcave të rendit. U raportua gjithashtu përdorimi i mjeteve piroteknike dhe bombave Molotov, ndërsa u shkulën kangjella metalike dhe pllaka trotuari.

Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë uji për shpërndarjen e turmës. Megjithatë, përplasjet nuk u kufizuan vetëm në këtë zonë.

Gjatë pasdites dhe mbrëmjes, protesta u zhvendos drejt institucioneve të tjera, përfshirë Kryeministrinë, Ministria e Ekonomise dhe ministri të ndryshme, Kryesinë e Kuvendit dhe Bashkinë e Tiranës. Në disa prej këtyre vendndodhjeve u regjistruan dëmtime të dyerve, xhamave dhe pjesëve të jashtme të godinave.

Incidente u raportuan edhe pranë Piramidës, ku u thyen xhamat e disa bizneseve, ndërsa në zonën e Zogut të Zi flakët përfshinë një filial banke dhe një dyqan veshjesh. 

Përplasjet u shoqëruan edhe me persona të lënduar dhe ndërhyrje të shërbimeve shëndetësore. Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dokumentoi disa incidente edhe ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike gjatë 14 tetorit, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe pengimin e raportimit. Disa prej tyre lidhen me veprimet e e Policisë së Shtetit. 

Pas orëve të gjata të tensioneve, kryeqyteti mbeti me dëme të dukshme në institucione, biznese dhe infrastrukturën publike. Xhama të thyer, objekte të djegura dhe kangjella të dëmtuara ishin ndër pasojat materiale të raportuara në disa prej zonave ku kaloi protesta.

Ndërkohë, protestat kanë vijuar edhe këtë të enjte në orët e para të mëngjësit ku grupe nxënësish e studentësh kanë bojkotuar mësimin. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat