Shqipëria Postuar më 5 October 2026, 12:43

Mbaroi sezoni turistik? - Popa: Shqipëria nuk duhet cilësuar si një destinacion i lirë

Nga Diamila Leka

Mbaroi sezoni turistik? - Popa: Shqipëria nuk duhet cilësuar si

Sezoni veror nuk përkufizon më të gjithë aktivitetin turistik në Shqipëri. Me përfundimin e muajve të plazhit, vendi vijon të presë turistë dhe vizitorë të huaj, ndërsa udhëtimet drejt destinacioneve shqiptare vazhdojnë edhe gjatë vjeshtës. Sipas ekspertes së turizmit, Nevila Popa, ritmet e lëvizjes turistike mbeten të kënaqshme si për strukturat akomoduese, ashtu edhe për agjencitë turistike.

“Sezoni turistik në fakt nuk është se po përmbyllet, kalon në fazën e atij segmenti të turizmit që vijon të zhvillohet në Shqipëri. Ne vazhdojmë të kemi turistë dhe vizitorë të huaj në Shqipëri, po jo me karakterin shumë të plazhit. Pjesa e udhëtimit vazhdon të jetë në Shqipëri, besoj me ritme të mira dhe të kënaqshme për operatorët turistikë, si ata hotelierë, ashtu dhe agjencitë e tjera.”

Një tjetër element që ka shoqëruar sezonin është rritja e çmimeve. Ekspertja argumenton se një çmim më i lartë nuk është domosdoshmërisht problem, nëse shoqërohet me një produkt dhe shërbim më cilësor.

“Ajo që duhet t’i kushtojmë vëmendje është jo vetëm të rritet çmimi, por t’i kushtojmë vëmendje që me rritjen e çmimit të kemi dhe një cilësi më të mirë të produktit, në mënyrë që raporti ndërmjet çmimit që ne vendosim për këtë produkt që po ofrojmë dhe cilësisë së këtij produkti të jetë një raport i drejtë. Klienti apo konsumatori të mundet të jetë i kënaqur edhe kur e paguan për produktin e caktuar, i cili është më i lartë, por është shumë mirë sepse cilësia e tij ka qenë akoma dhe më e mirë.”

Sipas Popës, Shqipëria ka shënuar përmirësime në infrastrukturën turistike, ndërsa sfida e radhës mbetet cilësia e shërbimit dhe pozicionimi i vendit në tregun ndërkombëtar. Ndërsa theksoi se objektivi nuk duhet të jetë një Shqipëri thjesht me çmime të ulëta, por një destinacion konkurrues, me produkt autentik, që justifikon çmimin përmes cilësisë, mikpritjes dhe eksperiencës që ofron.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat