Shqipëria Postuar më 5 October 2026, 12:02

Prishtina hap betejën me Specialen - Projektligji kalon me 91 vota, LDK-ja bojkoton votimin

Nga Edel Strazimiri

Prishtina hap betejën me Specialen - Projektligji kalon me 91 vota, LDK-ja

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Projektligji mori 91 vota për, ndërsa në votim nuk mori pjesë Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nisma është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe para seancës u miratua unanimisht edhe nga Komisioni për Legjislacion, me nëntë vota për.

Sipas propozuesve, ndryshimet synojnë që hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës të zhvillohet në Kosovë, ndërsa Dhomat e Specializuara të vazhdojnë të kenë kompetencë për pretendimet lidhur me trafikimin e organeve.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se ndryshimet nuk prekin Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi se qëllimi nuk është mbyllja e Dhomave të Specializuara, por kërkimi i llogaridhënies.

Projektligji mori mbështetje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Kryeministri Albin Kurti tha se LVV-ja nuk është e bindur për dobishmërinë e nismës, por nuk do ta pengojë miratimin e saj në lexim të parë. Sipas tij, beteja juridike për rastet në Hagë duhet të zhvillohet përmes apelit dhe një strategjie shtetërore.

Në anën tjetër, LDK-ja nuk mori pjesë në votim. Shefja e Grupit Parlamentar, Jehona Lushaku Sadriu, tha se çdo ndryshim i një aktgjykimi duhet të bëhet vetëm përmes rrugës gjyqësore dhe mjeteve juridike të parashikuara me ligj. Ajo paralajmëroi për pasoja të mundshme juridike, politike dhe ndërkombëtare dhe kërkoi koordinim me SHBA-në, BE-në dhe partnerët e tjerë.

Në seancë nuk morën pjesë as deputetët e Listës Serbe. Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, e mbështeti nismën dhe kërkoi që projektligji të miratohet në dy lexime brenda së njëjtës ditë.

Pas miratimit në lexim të parë, projektligji do të vijojë procedurën parlamentare për shqyrtim dhe votim në leximin e dytë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat