Shqipëria Postuar më 5 October 2026, 12:44

Llogaritje e re për kontributet - Skema/ Manjani: Pagesë shtesë për çdo vit të paguar pas daljes në pension 

Nga Elisabeta Dosku

Llogaritje e re për kontributet - Skema/ Manjani: Pagesë shtesë

Propozimi i deputetit demokrat Igli Cara për përjashtimin e pensionistëve që janë aktivë në tregun e punës nga detyrimi për të paguar kontribute, nuk është pranuar nga qeveria me argumentin se deformon skemën e sigurimeve shoqërore. 

Igli Cara, Deputet i PD

“E kam kërkuar për një periudhë 4 vjeçare për të parë dhe efektet. Bëhet fjalë për 18 milionë euro në vit që i përket 13 mijë pensionistëve dhe nëse do bëjmë formalizimin e plotë të rreth 140 mijë, kjo shumë nuk do të ketë efekt financiar”. 

Olta Manjani, Zv.Ministre e Ekonomisë

“Qeveria ndan të njëjtin objektiv, ne duam të krijojmë kushte që pensionistët të vijojnë të kontribuojnë në jetën ekonomike dhe profesionale të vendit. Megjithatë mjetet që përdoren duhet të jenë në përputhje me parimet që funksion sistemi i sigurimeve shoqërore. Aktualisht ligji i lejon që pensionistët të përfitojnë dhe pensionin dhe pagën kur janë në marrëdhënie pune dhe ky është një përjashtim i rëndësishëm që është bërë për pensionistët. Në të njëjtën kohë gjatë periudhës së punësimit, pensionistët trajtohen si çdo punëdhënës tjetër. Në këtë pikë nuk mbnështesim përjashtimin nga kontributet, sepse sistemi i sigurimeve ndërtohet mbi parimin kontributiv dhe jo mbi bazën e moshës. Përjashtimi nga ky detyrim do të dëmtonte të ardhurat në sistem dhe do cënonte të ardhurat. Një masë e tillë do krijonte një precedent të tillë për tu administruar pasi lindin kërkesa të ngjashme dhe nga kategori të tjera dhe kjo do të deformonte karakterin universal të skemës. Masa të tilla krijojnë pritshmëri për zgjatjen e tyre në kohë dhe mund të krijohet një problematikë e vazhdueshme.”

Zv.Ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani ka theksuar se me skemën e re për të cilën po punohet me Bankën Botërore, po mendohet që për këtë kategori të ofrohet një pagesë shtesë mujore pas ndërprerjes së punësimit ose të bëhet një rillogaritje e pensionit.

“Zgjidhja nuk është heqja e kontributeve por ti japim vlerë dhe për këtë po punojmë për reformën e re dhe po punojmë me BB që merr në konsideratë mjaftueshmërinë e pensionistëve dhe qëndrueshmërinë e saj. Skema është deficitare rreth 200 milionë euro. Në kuadër të kësaj reforme po shqyrtojmë mundësinë që kontributet e pensionistëve të mos mbeten pa efekt por të reflektohen drejtpërdrejt në përfitimin e tyre, në momentin që ndalon marrëdhënia e punës. Pra tu njihen më pas. Një opsion është rillogaritja e pensionit mbi bazën e kontributeve shtesë ose dhënia e një pagese për çdo vit të paguar pas daljes në pension. Kjo mënyrë ndërton një mekanizëm të drejtë dhe krijon stimul real për punësimin e pensionistëve dhe kufizon evazion fiskal. Do të mundësoje rritjen e përfitimeve duke zbatuar parimin më shumë kontribute, më shumë përfitime.  Për këtë arsye shprehemi kundër projektligjit në formën e propozuar”. 

Aktualisht, pensionistët e vetëpunësuar në vend janë të përjashtuar nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat