Shqipëria Postuar më 8 Maj 2025, 11:11

Borxhi i jashtëm arrin në 6.4 miliardë euro - Mbi 81% është në monedhën e përbashkët evropiane. Ndikim, Eurobondi

Nga Elisabeta Dosku

Borxhi i jashtëm arrin në 6.4 miliardë euro - Mbi 81%

Borxhi i jashtëm që qeveria ka marrë për të përmbushur nevojat e saj për financim që lidhen kryesisht me investime në infrastrukturë dhe shërbime publike arrin në vlerën e 6.43 miliardë eurove në tremujorin e parë të vitit 2025.

Në një dekadë, pra nga viti 2015 deri më tani, qeveria ka rritur në mënyrë progresive huamarrjen e jashtme.  Vlera më e ulët e stokut të borxhit regjistrohet në vitin 2015 në 3.57 miliardë euro, ndërsa vlera më e lartë në 2025-ën.

Shkak për këtë rritje është bërë edhe emetimi i Eurobondit të fundit në vlerë 650 milionë euro në muajin Shkurt të këtij viti dhe rritja e besimit të kreditorëve të huaj në ekonominë shqiptare.

Por si është i ndarë ai sipas monedhave? Të dhënat zyrtare nga buletini statistikor i borxhit për tremujorin  e parë të këtij viti tregojnë se 81.38% dominohet nga monedha europiane Euro, apo rreth 5.2  miliardë euro,  duke regjistruar një rritje me 3.4% nga viti i kaluar,

Në vendin e dytë renditet dollari amerikan, i cili zë 9.3% të totalit të stokut të borxhit të jashtëm të qeverisë.

Po ashtu një peshë të konsiderueshme zë SDR, me 6.32% që është një aset rezerve ndërkombëtare. SDR nuk është një monedhë, por vlera e saj bazohet në një shportë prej pesë monedhash - dollari amerikan, euro, renminbi kinez, jen japonez dhe sterlina britanike.

Ndërsa monedhat e tjera si SAR i Arabisë Saudite, uoni Koreano-Jugor (KRW), Dinari Kuvajtian (KWD), Jeni Japonez (JPY) zënë një përqindje shumë të vogël.

Nëse do ti referohemi borxhit të jashtëm sipas kreditorëve, rezulton se 2.9 miliardë euro janë Eurobond dhe pjesa tjetër kreditorë privatë.

Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, stoku i borxhit të jashtëm regjistrohet në 24.37% për periudhën janar-mars, 2025, me një rritje të lehtë nga viti i kaluar, por vlera përqindja më e ulët në raport me vitet e mëparshme. Vlera më e lartë rezulton në vitin 2021 me 36.45% të PBB.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat