Europa Postuar më 4 Nëntor 2025, 11:11

Transformimi digjital i vendeve kandidate - Si po përputhen politikat kombëtare me standardet e BE-së?

Nga Kristi Ceta

Transformimi digjital i vendeve kandidate - Si po përputhen politikat

Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, vendet duhet të përafrohen me koleksionin e ligjeve, rregulloreve dhe politikave të bllokut me 27 anëtarë. Kjo përfshin kërkesat për teknologjinë dhe infrastrukturën digjitale, si portofolët digjitalë dhe shërbimet “online” të qeverisë, por edhe mbrojtjen kibernetike që duhet të jetë në përputhje me pjesën tjetër të BE-së.

Portofolët digjitalë

Në vitin 2024, Bashkimi Evropian miratoi një rezolutë që u kërkon shteteve anëtare të ndërtojnë portofolë digjitalë gjatë dy viteve të ardhshme, si pjesë e përpjekjeve për të zgjeruar ofertën e shërbimeve “online” për qytetarët. Këta portofolë do t’u mundësojnë qytetarëve të BE-së të vendosin karta identiteti digjitale, të provojnë identitetin dhe të nënshkruajnë dokumente të rëndësishme. Sistemet duhet të jenë në përputhje me të gjitha rregullat e BE-së për shkëmbimin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë.

Disa nga vendet kandidate, duke përfshirë Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Moldavinë, kanë krijuar ose po testojnë aplikacione për portofolë digjitalë. Deri në vitin 2026, Ukraina, Serbia dhe Shqipëria priten të kenë sistemet e tyre elektronike të identifikimit. Maqedonia e Veriut ka paralajmëruar se do të prezantojë brenda 2025 një “superaplikacion” të quajtur m.Uslugi, që do t’u ofrojë qytetarëve rikujtues për afatet, një kuti digjitale postare dhe një hapësirë për ruajtjen e dokumenteve personale.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se identiteti digjital i Shqipërisë do të zhvillohet nga një kompani shtetërore e quajtur Identitek, e cila do t’u lejojë qytetarëve të përdorin ID-në në telefona ose kompjuterë si portofolë shumëfunksionalë.

Siguria kibernetike

Një tjetër fushë ku vendet duhet të përputhen me BE-në është siguria kibernetike, përmes zbatimit të disa ligjeve si direktivat e Sistemeve të Rrjetit dhe Informacionit (NIS), që unifikojnë mbikëqyrjen në 18 sektorë.

Ndër kërkesat kryesore, çdo vend duhet të krijojë strategjinë e vet kombëtare, së bashku me një listë të shërbimeve thelbësore që kërkojnë mbrojtje shtesë në sektorë si energjia, transporti, shëndetësia, financat dhe infrastruktura digjitale. Shqipëria, Mali i Zi, Turqia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Maqedonia e Veriut kanë tashmë strategji kombëtare për sigurinë kibernetike që janë të përafruara, tërësisht ose pjesërisht, me direktivat e BE-së. Strategjia kombëtare e Malit të Zi, për shembull, përfshin Qendrën për Zhvillimin e Kapaciteteve Kibernetike në Ballkanin Perëndimor, që u krijua në vitin 2022 si projekt i përbashkët me autoritetet franceze dhe sllovene.

Inteligjenca artificiale

Përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) në fusha si arsimi, punësimi, shëndetësia dhe rendi publik do të duhet të përputhet me kërkesa të rrepta për siguri, transparencë dhe mbrojtje të të dhënave. Vendet duhet të krijojnë autoritetet kombëtare mbikëqyrëse, për të garantuar zbatimin e rregullave dhe që çdo sistem i teknologjisë së re të jetë i auditueshëm dhe i gjurmueshëm. Shqipëria, Moldavia, Serbia dhe Ukraina kanë tashmë strategji për inteligjencën artificiale, megjithatë asnjëra prej tyre nuk ka miratuar ende legjislacion të posaçëm.

Strategjia e Shqipërisë parashikon përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin e energjisë, në prokurimet publike dhe luftën kundër evazionit fiskal. Gjithashtu, Tirana ka themeluar ministren e parë në botë të krijuar nga inteligjenca artificiale. Ministrja, e quajtur Diella, është përgjegjëse për vendimmarrjen mbi tenderët publikë, një proces që, sipas kryeministrit Rama, do të do të garantojë “transparencë të plotë dhe eliminim të korrupsionit.”

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat