Shqipëria Postuar më 23 Maj 2026, 13:24

SHBA rrit fokusin në Ballkanin Perëndimor/ Siguria dhe energjia, në qendër të strategjisë. Shqipëria, partner kyç

Nga Fabjona Pasho

SHBA rrit fokusin në Ballkanin Perëndimor/ Siguria dhe energjia,

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar një raport të ri për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria përmendet si një nga partnerët më të rëndësishëm të Uashingtonit në rajon, veçanërisht në aspektin e sigurisë, mbrojtjes dhe projekteve strategjike të energjisë.

Në dokument thuhet se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor lidhet drejtpërdrejtë me interesat amerikane të sigurisë dhe ekonomisë, ndërsa rajoni konsiderohet një zonë ku SHBA synon të rrisë bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik. Raporti nënvizon se qasja amerikane nuk fokusohet më tek ndërtimi I shteteve, por tek partneritetet strategjike dhe fuqizimi i vendeve të rajonit.

Shqipëria vlerësohet si një histori suksesi e integrimit në NATO, së bashku me Malin e zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Administrata amerikane thekson se zgjerimi i aleancës ka forcuar sigurinë rajonale dhe se do të vijojë mbështetja për modernizimin e ushtrive dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve aleate.

Dokumenti evidenton gjithashtu rolin e Shqipërisë në nismat ndërkombëtare të sigurisë, duke theksuar se vendi po kalon nga një “konsumator sigurie” në një “ofrues sigurie”, përmes angazhimeve në operacione dhe iniciativa ndërkombëtare.

Një pjesë e rëndësishme e raportit lidhet me projektet strategjike në energji dhe infrastrukturë. Shqipëria përmendet mes vendeve ku SHBA sheh potencial për zhvillimin e projekteve hidroenergjetike dhe forcimin e lidhjeve energjetike rajonale me tregun europian. Raporti thekson se infrastruktura energjetike në Ballkan mbetet e vjetëruar dhe në disa raste e varur nga ndikimi rus, ndaj SHBA synon të mbështesë investime të reja në energji, transport dhe teknologji. Mes projekteve prioritare përmenden zhvillimi hidroenergjetik në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, modernizimi i termocentraleve në Kosovë, si dhe ndërtimi i interkonektorëve të rinj të gazit dhe energjisë në rajon.

Administrata amerikane paralajmëron edhe për përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për të rritur ndikimin në Ballkanin Perëndimor përmes energjisë, investimeve strategjike dhe korrupsionit. Sipas raportit, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe i institucioneve demokratike konsiderohet mënyra më e qëndrueshme për të frenuar këtë ndikim.

Në dokument thuhet gjithashtu se SHBA do të punojë me qeveritë e rajonit për të përmirësuar klimën e biznesit, për të rritur transparencën në prokurime dhe për të krijuar më shumë mundësi për kompanitë amerikane në Ballkanin Perëndimor.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat