Shqipëria Postuar më 4 Nëntor 2025, 10:15

Rriten vetëprodhuesit e energjisë elektrike - Numri total arrin në 3137, kapaciteti total i instaluar shkon në 284 mWp

Nga Ola Mitre

Rriten vetëprodhuesit e energjisë elektrike - Numri total arrin

Numri i konsumatorëve që vetëprodhojnë energjinë elektrike ka pësuar rritje me 30% gjatë këtij viti, në raport me vitin 2024. Sipas të dhënave zyrtare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike aktualisht numërohen 3137 klientë që kanë statusin e vetëprodhuesit, nga 2415 klientë që ishin në fund të vitit të kaluar.

Kapaciteti total i instaluar nga këta konsumatorë, që kanë zgjedhur të investojnë në energjinë e rinovueshme është 284 mWp, apo 31% më shumë se fundi i vitit 2024, kur kapaciteti total i instaluar ishte rreth 217 mWp.

Të dhënat e OSHEE tregojnë se 30% e vetëprodhuesve janë klientë famijarë, ndërsa pjesa tjetër është instaluar nga bizneset, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të autokonsumatorëve të energjisë elektrike. Gjithsesi, në këtë strukturë nuk mungojnë as institucionet shtetërore si bashki, ministri apo institucione arsimore që kanë instaluar panele diellore për gjenerimin e energjisë, si dhe konsumatorë jobuxhetorë, ku përfshihen ujësjellësa, poliklinika apo qendra shëndetësore.

Ndërkaq, sfidë mbetet caktimi i çmimit të energjisë elektrike të prodhuar nga vetëprodhuesit e energjisë. Në rezolutën e fundmit për ERE-n, Parlamenti thekson se pas miratimit të metodologjisë përkatëse nga Këshilli i Ministrave, duhet të merren masat e nevojshme për miratimin në kohë të çmimit të energjisë së gjeneruar nga vetëprodhuesit, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e tregut të energjisë së gjelbër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat