Shqipëria Postuar më 4 Nëntor 2025, 10:26

379 milionë euro nga konsumi dhe pagat në Tetor - 10-mujori, të ardhurat tatimore u rritën me 12.1%

Nga Elisabeta Dosku

379 milionë euro nga konsumi dhe pagat në Tetor - 10-mujori, të

Vjeshta ka hyrë me “këmbë të mbarë” sa i takon të ardhurave në buxhet të mbledhura nga administrata tatimore, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së konsumit dhe taksimit të pagave.

Në muajin Tetor, të ardhurat nga tatimet regjistrohen në 37.9 miliardë lekë apo rreth 379 milionë euro, duke kapërcyer me rreth 13.1% në raport me në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Kjo shifër ka vijuar në trendin pozitiv të muajve të verës, ku pavarësisht faktit se sezoni veror dhe efekti i turizmit masiv nuk është më prezent, sërish tregon konsum të lartë, duke qenë se peshën kryesore në të ardhura dhe në rritje e zë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Në muajin shtator të ardhurat u regjistruan 392 milionë euro, ndërsa në gusht 385 milionë euro.

Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sa i takon 10-mujorit, të ardhurat tatimore regjistrohen në 379 miliardë lekë lekë të ardhura,  duke u rritur me 12.1% krahasuar me Janar-Tetor 2024.

Të ardhurat tatimore përfshijnë të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionalet, të cilat kanë pasur perfomancë pozitive përgjatë gjithë vitit.

Faktorët kryesore të rritjes së të ardhurave lidhen me rritjen ekonomike, aktivitetin më të lartë të biznesit dhe konsumin e shtuar, çka është reflektuar në TVSH-në e brendshme dhe tatimin mbi fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është një tjetër zë me peshë të konsiderueshme në të ardhurat tatimore,  cili reflekton pagat e rritura të administratës dhe të sektorit privat si dhe efektet pozitive që ka dhënë reforma antiinformalitet në këtë drejtim. Fushata për faturimin elektronik dhe kontrollet e shumta në terren duke se ka dhënë kontribut në formalizim dhe rritjen e të hyrave tatimore.  Po ashtu deklarimi dhe pagesa e detyrimit të DIVA-s nga të punësuarit në vend duke se ka ndikuar në këtë perfomancë.

Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, kanë njohur një rritje të konsiderueshme muaj pas muaji, të cilat gjithashtu reflektojnë reformën e rritjes së  pagave dhe atë kundër nëndeklarimit të tyre.

Ndërsa me rritjen e pagës minimale nga 1 Janari 2026 në 50 mijë lekë, parashikohet gjithashtu një rritje e ndjeshme e të ardhurave nga kontributet si dhe nga tatimi mbi pagat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat