Shqipëria Postuar më 12 September 2026, 14:36

Kryeministri Rama, mesazh administratës/ “Çdo shkelje afati, duhet të ketë përgjegjës dhe kosto”

Nga Alida Lula

rama.PNG

Kryeministri Edi Rama, cilëson se të gjitha çështjet që kanë pengesa ligjore duhet të ndahen dhe njerëzit duhet të marrin përgjigje. Çdo dalje nga afati duhet të ketë përgjegjës dhe kosto - tha Rama në një mesazh për administratën. Ky duhet të jetë prioritet për zëvendësministrat sipas tij, të cilët duhet të bëjnë një bilanc për përgjigjet dhe të pyesin për arsyen e mosdhënies së përgjigjeve.

Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës në të cilin ne do përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston. Të gjitha çështjet që kanë ndalesë ligjore, duhen ndarë në kategori të ndryshme dhe në atë moment pastaj, është çështja e vendimmarrësve që të thonë: "kjo ndalesë zgjidhet, kjo ndalesë duhet të qëndrojë” dhe njerëzve u duhet thënë kjo, nuk bëhet. Edhe po, dhe jo, as mish as peshk, as këtej, as andej, quhet torturë, nuk quhet përgjigje. Zëvendësministrat që janë të përcaktuar duhet ta kenë këtë prioritetin numër një të punës së tyre të përditshme, duhet ta nisin ditën me sa përgjigje u dhanë dje, sa përgjigje duhen dhënë sot dhe sa përgjigje nuk u dhanë në kohë dhe duhet të merren pastaj me ato përgjigje nuk u dhanë në kohë”-tha kryeministri Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat