Shqipëria Postuar më 12 September 2026, 12:17

Rriten kontributet/ 197 milionë euro në skemën e pensioneve vetëm në Gusht

Nga Elisabeta Dosku

pensione-644.jpg
Të punësuarit në vend kanë derdhur afro 15.7  miliardë leke apo rreth 197 milionë euro në arkën e shtetit si kontribut për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vetëm gjatë muajit Gusht. 

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve,  tregojnë se janë arkëtuar 1.7 miliardë lekë më shumë, ose një rritje prej 12%, krahasuar me gushtin 2025.

Sipas administratës tatimore, mirëadministrimi tatimor dhe masat e ndërmarra në kuadër të planeve operacionale, me fokus rritjen e formalizimit dhe përmbushjen e detyrimeve, po reflektohen ndjeshëm edhe në rritjen e kontributeve të sigurimeve.

Kjo performancë është ndikuar nga disa zhvillime të rëndësishme. Së pari, rritja e pagave në sektorin publik, e ndjekur edhe nga sektori privat, ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të pagës mesatare në vend, e cila ka arritur në afro 1 mijë euro në muaj. Si rrjedhojë, është rritur edhe masa e kontributeve të paguara nga punonjësit.

Një tjetër zhvillim lidhet me reformën kundër informalitetit, e cila është fokusuar veçanërisht në adresimin e nëndeklarimit të pagave. Kjo ka sjellë rritje të deklarimeve dhe, për rrjedhojë, edhe të të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Gjithashtu, vendosja e pagave referuese gjatë këtij viti në sektorë si turizmi, ndërtimi dhe mjekësia ka dhënë një efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e kontributeve dhe në forcimin e skemës.  Këtë vit sezoni i turizmit ka qenë më në qendër të kontrolleve tatimore sa i takon deklarimit të pagave reale. 

Në të njëjtin drejtim ka ndikuar edhe rritja e pagës minimale në shkallë vendi, e cila prej muajit janar është vendosur në 50 mijë lekë.

Rritja e numrit të bizneseve të reja të hapura në Shqipëri gjatë vitit 2026, së bashku me, ka kontribuar gjithashtu në këtë ecuri. 

Aktualisht, pagesa minimale mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për individët është rreth 13.950 lekë

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat