Kosova Postuar më 13 September 2026, 18:32

Kosova me Qeveri të re/ Kurti zgjidhet kryeministër për herë të katërt

Nga Alida Lula

Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti u zgjodh me 62 vota pro, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.

LVV-ja ka 53 deputetë në Kuvend, por Qeveria e re u mbështet edhe nga nëntë deputetë të komuniteteve joshumicë, tetë nga pakicat joserbe dhe nga Nenad Rashiq i pakicës serbe.

Kjo i ka siguruar Kurtit mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës nuk morrën pjesë në seancë.

Përbërja e kabinetit qeveritar, mbetet e njëjtë me atë të Qeverisë së tretë të drejtuar nga Kurti.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se nuk do të prezantojë ndonjë program apo agjendë të re, pasi sipas tij zgjedhjet e përsëritura e kanë ndërprerë qeverisjen që do të vazhdojë edhe në mandatin e ri.

Kurti theksoi se vizioni i Lëvizjes Vetëvendosjes, do jetë i përqendruar te mirëqenia e qytetarve dhe mbrojtja e familjeve.

“Ky mandat është për ta kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit”- tha Kurti.

Kuvendi u shpall i konstituuar, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë.

Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare.

Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i asnjë subjekti politik”.

Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.

Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviç. Ajo mori votat e LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së.

Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.

Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.

Ndërkohë, në një shkrim të Reuters, thuhet se: ''Kuvendi i Kosovës e rizgjodhi Albin Kurtin kryeministër këtë të dielë, pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet e qershorit, por dështimi për ta zgjedhur një president, mund ta çojë vendin në zgjedhje të tjera të parakohshme''

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat