Shqipëria Postuar më 13 September 2026, 14:49

"Industria e mbrojtjes prioritet strategjik"/ Nufi: Gjashtë sipërmarrje të përbashkëta me kompani ndërkombëtare

Nga Alida Lula

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, e cilëson zhvillimin e industrisë së mbrojtjes si një prioritet strategjik për Shqipërinë.

Përmes një videomesazhi, Nufi thekson se vendi ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku industria e mbrojtjes synon të rrisë sigurinë kombëtare, kapacitetet teknologjike dhe zhvillimin ekonomik.

Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë dhe çdo hap që lidhet më të, mbetet përherë një lajm i mirë për vendin tonë. Përkundër fantazisë, trillimeve dhe akuzave politike të faktorëve që duan të ushqejnë veten dhe të mbijetojnë në rrugën që kanë humbur, sot asgjë nuk e ndal faktin se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një prioritet strategjik për Shqipërinë, prioritet, i cili është në funksion të sigurisë kombëtare, ashtu edhe të angazhimeve tona si një vend anëtar i NATO-s. Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku industria e mbrojtjes nuk e sheh më veten si një çështje e vetme sigurie, por si një mundësi strategjike për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe industrial të vendit” - tha ministri Nufi.

Përmes kompanisë shtetërore KAYO, Nufi shton se po zhvillohen aktualisht 6 sipërmarrje të përbashkëta me kompani ndërkombëtare, ndërsa në inventarin e Forcave të Armatosura kanë hyrë 40 mjetet e para të prodhuara në Shqipëri.

“Në inventarin e Forcave të Armatosura kanë hyrë tashmë 40 mjetet e para të prodhuara dhe shumë shpejt do të fillojmë edhe prodhimin e municionit të lehtë” - shtoi Nufi.

Ndër të tjera, ai u ndal edhe Fincantieri Albania dhe tek prodhimi i pajisjeve individuale mbrojtëse për Forcat e Armatosura dhe institucionet e tjera të sigurisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat