Kosova Postuar më 30 October 2026, 10:57

Investime për Kosovën - Reformat mund të sjellin 1,5 miliardë dollarë dhe 87 mijë vende pune

Nga Edel Strazimiri

Investime për Kosovën - Reformat mund të sjellin 1,5

Kosova mund të tërheqë deri në 1,5 miliardë dollarë investime private dhe të krijojë deri në 87 mijë vende të reja pune gjatë 5 deri në 10 viteve të ardhshme. Potenciali identifikohet në një raport të ri të Grupit të Bankës Botërore, i cili thekson se barrierat rregullatore po pengojnë zgjerimin e sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës me paga më të larta.

Raporti identifikon tre sektorë me potencial të konsiderueshëm zhvillimi: energjinë e rinovueshme, shërbimet e biznesit dhe prodhimin e komponentëve për ndërtim. Sipas vlerësimit, reformat e synuara në këta sektorë mund të nxisin investime të reja dhe të forcojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë kosovare.

Potencialin më të madh për investime e paraqet energjia diellore dhe ajo e erës. Me ndryshime që rrisin sigurinë për investitorët dhe garantojnë kushte më të qarta për shitjen e energjisë, ky sektor mund të tërheqë rreth 1 miliard dollarë investime deri në vitin 2035 dhe të krijojë rreth 8.300 vende pune.

Edhe shërbimet e biznesit, të nxitura nga kërkesa evropiane për shërbime dixhitale dhe kontraktim të jashtëm, paraqesin mundësi për zgjerim. Përmirësimi i rregullave për punën në distancë dhe atë hibride, njohja ligjore e nënshkrimeve elektronike dhe zhvillimi i aftësive profesionale mund të sjellin 68 deri në 177 milionë dollarë investime dhe 32 mijë deri në 46 mijë vende të reja pune.

Ndërkohë, prodhimi i komponentëve për ndërtim mund të përfitojë nga kërkesa vendase dhe mundësitë e eksportit drejt tregjeve evropiane. Heqja e pengesave për lejet e ndërtimit, përmirësimi i furnizimit me energji dhe rritja e aftësive të punonjësve mund të mobilizojnë 187 deri në 296 milionë dollarë investime dhe të krijojnë 21 mijë deri në 33 mijë vende pune.

Sipas Bankës Botërore, shfrytëzimi i këtij potenciali kërkon reforma konkrete për të ulur kostot dhe pasigurinë për bizneset, për të përmirësuar kuadrin rregullator dhe për të lehtësuar investimet private.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat