Shqipëria Postuar më 30 October 2026, 10:12

Sa para’ do marrin bashkitë? - Pr.buxheti 2027/ 321 milionë euro transfertë, fond i dedikuar për pagat 

Nga Elisabeta Dosku

Sa para’ do marrin bashkitë? - Pr.buxheti 2027/ 321 milionë euro

Buxheti vendor për vitin 2027 parashikohet të jetë në nivelin e 114.6 miliardë lekë, ose 2.4% më i lartë krahasuar me nivelin e pritshëm të vitit 2026.

Referuar projektbuxhetit 2027, rritja e mbështetjes nga buxheti i shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore do të vijojë edhe gjatë vitit që vjen, kryesisht nëpërmjet transfertave ndërqeveritare. 

Transferta e pakushtëzuar parashikohet në masën 29.3 miliardë lekë apo rreth 321 milionë euro, me një rritje prej 1.4 miliardë lekësh kundrejt vitit 2026, duke garantuar financim më të lartë për ushtrimin e funksioneve vendore dhe rritjen e autonomisë financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Transferta e pakushtëzuar për çdo bashki në vitin 2027 do të jetë me rritje mesatare në nivelin rreth 5% dhe për qarqet me një rritje mesatare në nivelin rreth 4% krahasuar me një vit më parë.

Draftbuxheti parashikon vazhdimin e financimit të funksioneve të transferuara në pushtetin vendor, në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale në vlerën 15.4 miliardë lekë, ose 2% më shumë se një vit më parë.

Nga ana tjetër është parashikuar një fond shtesë prej 4.5 miliardë lekësh apo 49 milionë eurosh në buxhetin vendor për rritjen e pagave për të mbuluar efektin financiar shtesë për rritjen e kufirit minimal të nivelit të pagave për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe efektin e rritjes së nivelit të pagës minimale.

Buxheti do të vijojë financimi përmes grantit të performancës në shumën 200 milion lekëve me qëllim nxitjen e bashkive për të përmirësuar performancën e tyre në qeverisje, menaxhimin më të mirë të financave publike vendore dhe rritjen e transparencës.

Projektbuxheti parashikon  gjithashtu financimin e shpenzimeve operative për funksionet e transferuara, me një fond shtesë prej 200 milion lekë, ose rreth 1.4 % më shumë se një vit më parë, nga të cilat 100 milionë lekë për arsimin parashkollor (kopshtet) dhe 100 milionë lekë për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi (përfitojnë 17 bashki me një shtesë prej 83 punonjësish).

Buxheti Vendor 2027 synon të rrisë efikasitetin në përdorimin  fondeve publike, të forcojë autonominë fiskale të bashkive dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe territorial në të gjithë vendin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat