Shqipëria Postuar më 30 October 2026, 12:25

Inxhinieria, me godinë të re - 282,3 milionë lekë për fakultetin, mbi 708 milionë për infrastrukturën shkollore

Nga Fabjona Pasho

Inxhinieria, me godinë të re - 282,3 milionë lekë për

Universitetet, konviktet dhe shkollat përfshihen në planin e investimeve të projektbuxhetit 2027, me financime për ndërtime, rikonstruksione dhe pajisje nga Buxheti i Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Godina e re e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit pranë Universitetit Politeknik të Tiranës do të financohet me 282,3 milionë lekë gjatë vitit të ardhshëm. Projekti ka një vlerë totale prej rreth 881,9 milionë lekësh dhe financimi planifikohet të përfundojë më 2027.

Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës i janë parashikuar 150 milionë lekë për hartimin e projektzbatimit të kampusit universitar. Ndërkohë, 57,5 milionë lekë shkojnë për rikonstruksionin e godinave A dhe C të Institutit të Fizikës Bërthamore dhe 56,6 milionë për Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave dhe ndërtimin e Muzeut të Gjeologjisë. Veç këtyre projekteve, fondi për zhvillimin e infrastrukturës në arsimin e lartë ka 433,6 milionë lekë.

Rehabilitimi me efiçencë energjetike i konvikteve të universiteteve publike mbështetet me mbi 632 milionë lekë: rreth 346,2 milionë kredi dhe 286,1 milionë grant nga banka gjermane KfË. Financimi synon përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve dhe uljen e konsumit të energjisë.

Për projekte kërkimore dhe bashkëpunim universitar, përfshirë Erasmus+ dhe Tempus, parashikohen edhe 300 milionë lekë nga Bashkimi Evropian.

Infrastruktura shkollore mbështetet nga dy fonde me vlerë të përbashkët mbi 708 milionë lekë. Prej tyre, 400,1 milionë janë për ndërtime dhe rikonstruksione në arsimin bazë, përfshirë parashkollorin, ndërsa 308,2 milionë për arsimin e mesëm. Një projekt tjetër i ri parashikon 190 milionë lekë për mobilimin e klasave SMARTLAB në arsimin bazë.

Në arsimin profesional, shkolla industriale “Pavarësia” në Vlorë do të ketë 158 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës dhe reparteve të praktikave. Për ndërtimin e ri të shkollës “Karl Gega” në Tiranë dhe ndërhyrjet në Shkollën Teknike të Korçës parashikohen nga rreth 87,3 milionë lekë.

Këtyre investimeve u shtohet mbështetja për arsimin profesional nga projektet “Proseed” dhe “Skills for Job”, me gjithsej 434,7 milionë lekë për vitin 2027, të financuara nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat