Shqipëria Postuar më 30 October 2026, 11:01

Zgjerim i rrjetit elektrik - OST hap garën për ndërtimin e nënstacionit të ri Traktora, në Tiranë

Nga Ernilda Luzi

Zgjerim i rrjetit elektrik - OST hap garën për ndërtimin e

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka shpallur hapjen e tenderit për ndërtimin e fazës së dytë të nënstacionit të ri elektrik Traktora, në Tiranë. Projekti parashikon instalimin e një autotransformatori të dytë me kapacitet 150 MVA dhe zgjerimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike. Fondi limit i procedurës së prokurimit është rreth 744 milionë e 983 mijë lekë.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti përfshin ndërtimin e pajisjeve dhe instalimeve të reja në nënstacion, si dhe blerjen dhe vendosjen e një autotransformatori të dytë 220/110/20 kilovolt, me kapacitet 150 megavolt-amper.

Nënstacioni i ri po ndërtohet në hapësirën ngjitur me nënstacionin ekzistues Traktora 110/20/6 kilovolt, në pjesën jugore të tij. Faza e parë e projektit ka parashikuar ndërtimin e godinës së re të kontrollit, si dhe instalimin e autotransformatorit të parë. Ndërsa faza e dytë, për të cilën tashmë është hapur procedura e prokurimit, do të mundësojë zgjerimin e mëtejshëm të këtij impianti.

Punimet parashikojnë ndërtimin e një trakti të ri linje 220 kilovolt, një trakti të dytë për autotransformatorin, instalimin e transformatorit të ri me kapacitet 150 MVA dhe pajisjen e tij me të gjitha sistemet përkatëse të kontrollit, komandimit dhe mbrojtjes. Gjithashtu, do të realizohen lidhjet e nevojshme me sistemin ekzistues 110 kilovolt dhe zgjerimi i sistemeve të furnizimit me energji për nevojat vetjake të nënstacionit.

Paralelisht, do të instalohen sisteme moderne të mbrojtjes rele, matjes së energjisë, monitorimit dhe komunikimit, me qëllim garantimin e funksionimit të sigurt dhe të qëndrueshëm të pajisjeve.

Sipas specifikimeve teknike, linja e re 220 kilovolt do të pajiset me dy sisteme të pavarura mbrojtjeje, ndërsa autotransformatori do të ketë sistemet përkatëse të kontrollit dhe monitorimit, me synimin për të garantuar funksionim të sigurt dhe për të shmangur ndërprerjet në rast defektesh.

Investimi synon të rrisë kapacitetet e këtij nyjimi të rëndësishëm të rrjetit dhe të përmirësojë sigurinë dhe besueshmërinë e funksionimit të sistemit të transmetimit, thuhet në dokumentin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat