Analiza Postuar më 30 October 2026, 11:59

“Fabula” e buxhetit 2027/ Për çdo 100 lekë të ardhura shtesë, qeveria planifikon rreth 107 lekë shpenzime shtesë

Nga Xhorxhina Deda

“Fabula” e buxhetit 2027/ Për çdo 100 lekë të

Buxheti i vitit 2027 parashikon zgjerimin e të ardhurave dhe shpenzimeve publike, me një rritje më të shpejtë të investimeve dhe një deficit lehtësisht më të lartë. Por sa nga paratë shtesë që qeveria synon të mbledhë do të përkthehen në përfitime konkrete për qytetarët?

“Scan Intel” ka analizuar treguesit kryesorë të projektbuxhetit për vitin 2027, duke i krahasuar me planifikimin e rishikuar të vitit 2026, sipas Aktit Normativ.

Të ardhurat totale parashikohen të arrijnë në 907.9 miliardë lekë, nga 843.1 miliardë lekë në vitin 2026. Kjo përkthehet në një rritje prej 7.7%, ose rreth 64.8 miliardë lekësh më shumë.

Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shtese pritet të vijë nga tatimet dhe doganat. Arkëtimet e administratës tatimore dhe doganore parashikohen të rriten me 8.4%, duke arritur në 583.5 miliardë lekë, ose 45.3 miliardë më shumë se në vitin 2026.

Kontributin më të madh në këtë rritje pritet ta japë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Nga ky tatim qeveria synon të mbledhë 275.4 miliardë lekë, rreth 27.4 miliardë më shumë se një vit më parë. Sipas përllogaritjeve të “Scan Intel”, bazuar në krahasimin me Aktin Normativ 2026, afërsisht 61% e shtesës së parashikuar të arkëtimeve nga tatimet dhe doganat pritet të vijë nga TVSH-ja. Por, rritja e parashikuar e arkëtimeve nga TVSH-ja lidhet me ecurinë e ekonomisë, ndryshimet e çmimeve, politikat e reja fiskale dhe përmirësimin e administrimit tatimor

Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat personale pritet të sjellë rreth 11 miliardë lekë shtesë, me një rritje prej 11.5%.

Por krahas të ardhurave, zgjerohet edhe fatura e shpenzimeve. Për vitin 2027, qeveria planifikon të shpenzojë 976.1 miliardë lekë, ose 69.2 miliardë më shumë se në vitin 2026. Rritja prej 7.6% është pothuajse e njëjtë me ritmin e rritjes së të ardhurave, megjithëse në vlerë absolute shpenzimet shtohen më shumë.

Ajo që bie në sy është ritmi i ndryshëm i rritjes së kategorive të shpenzimeve. Shpenzimet korrente, ku përfshihen pagat, pensionet dhe kostot e funksionimit të shtetit, parashikohen të rriten me 5.8%. Ndërsa shpenzimet kapitale, kryesisht investimet publike, pritet të rriten me 13.7%, duke arritur në 200.3 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e shtesës së parashikuar për investimet kapitale lidhet me zgjerimin e financimit të huaj.

Për shkak se shpenzimet mbeten më të larta se të ardhurat, deficiti buxhetor parashikohet të arrijë në 68.2 miliardë lekë, nga 63.7 miliardë lekë në vitin 2026. Megjithatë, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndryshimi është i vogël, nga rreth 2.28% në 2.32%.

Në thelb, projektbuxheti i vitit 2027 parashikon një shtet që mbledh dhe shpenzon më shumë, duke i dhënë përparësi rritjes së investimeve. Megjithatë, rritja e buxhetit nuk nënkupton automatikisht përmirësim të mirëqenies. Për qytetarët, rëndësi nuk ka vetëm sa para mbledh dhe shpenzon qeveria, por sa prej tyre përkthehen në shërbime më cilësore, investime produktive dhe përfitime të prekshme në jetën e përditshme.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat