Shqipëria Postuar më 30 October 2026, 10:37

250 mln euro për pensionet - Ministri Malaj prezanton buxhetin dhe paketën fiskale 2027

Nga Elisabeta Dosku

250 mln euro për pensionet - Ministri Malaj prezanton buxhetin dhe

Një nga shtyllat kryesore të projektbuxhetit 2027 ëhstë mbështetja e pensionistëve, me një vlerë totale prej 250 milionë eurosh, ku përfshihet indeksimi dhe dyfishimi i bonusit. Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi draft buxhetin ne Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku theksoi se politikat sociale janë në thelb të tij. 

“Pensionet zënë një vend të veçantë në prioritetet e buxhetit, përmes masave që synojnë të rrisin mbështetjen financiare për pensionistët dhe të përmirësojnë të ardhurat e tyre. Indeksimi i pensioneve në prill 2027, me një fond shtesë të parashikuar prej rreth 1,35 miliardë lekësh. Në total kjo politikë i kushton buxhetit të shtetit 4 mld lekë. Dyfishimi i vlerës së bonusit mujor për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, duke filluar nga 1 janari 2027, me një kosto totale të parashikuar prej 20 miliardë lekësh për vitin. Krahas pensioneve, buxheti forcon edhe politikat e mbrojtjes sociale, me fokus te fëmijët, familjet dhe kategoritë më në nevojë."

Ministri Malaj prezantoi edhe ndryshimet e parashikuara në taksa përmes paketës fiskale 2027. 

"Nuk kemi rritje të taksave, por rishikim të taksave.  Rritja e të ardhurave nga dividendi do shkojnë të kompensojnë lehtësimin për fashën e pagave. Ulja e TVSH për ushqimet, ka efekt më të lartë se rritja e TVSH-së 21 %. Dhe kjo do të kompensohet me uljen e pragut të TVSH-së për bizneset. Edhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe kalimi tek mjetet motorike, krijon gjithashtu një minus në buxhetin e shtetit i cili përballohet nga kjo rishpërndarje që ne bëjmë. Dhe minusi në këtë rast është rreth 50 milionë euro. nëse do ti mbledhim dhe zbresim këto politika, efekti është – 300 milionë lekë për buxhetin e shtetit. E vetmja e ardhur shtesë që vjen për buxhetin e shtetit nga kjo paketë është vetëm akciza për duhanin. 

Ndryshimet kryesore përfshijnë: rritjen e normës së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%; rishikimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, duke lehtësuar shtresën e mesme dhe duke forcuar progresivitetin për të ardhurat më të larta; uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë; rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%  aplikimin e normës së reduktuar 6% për 54 produkte të shportës bazë; zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet tek taksa vjetore e automjetit; vijimin e kalendarit të rritjes së akcizave për produktet e duhanit dhe përafrimin me direktivat e Bashkimit Europian”. 

Sipas Ministrit, ky buxhet vendos në qendër familjen, pensionistët, fermerët dhe rrit gjithashtu mbështetjen për sektorët, që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës.   

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat