Shqipëria Postuar më 1 October 2026, 12:57

Ibrahimaj: Drejt tregut europian - Ministrja kërkon më shumë zbatim, tregti më të lehtë dhe investime në rajon

Nga Edel Strazimiri

Ibrahimaj: Drejt tregut europian - Ministrja kërkon më shumë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Ministerialin Ekonomik të Procesit të Berlinit, zhvilluar në Cetinje të Malit të Zi, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe afrimi i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

Në takim u diskutua zbatimi i planit për Tregun e Përbashkët Rajonal, me synim reduktimin e barrierave tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Ibrahimaj theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të kalojë nga marrëveshjet te rezultatet konkrete për bizneset dhe qytetarët.

Në kuadër të drejtimit shqiptar të CEFTA-s, ministrja prezantoi masat për lehtësimin e tregtisë dhe uljen e kostove për kompanitë. Ndër prioritetet janë zgjerimi i Korsive të Gjelbra, harmonizimi i orareve në pikat kufitare dhe thjeshtimi i kontrolleve për produktet bujqësore.

Ibrahimaj vuri gjithashtu theksin te tërheqja e investimeve që sjellin teknologji, rrisin produktivitetin dhe krijojnë vende pune, si dhe te ndërtimi i zinxhirëve rajonalë të vlerës në agroushqim, prodhim, turizëm dhe shërbime.

Sipas ministres, Tregu i Përbashkët Rajonal nuk përbën alternativë ndaj integrimit europian, por një mekanizëm për ta përshpejtuar atë. Në këtë kuadër, ajo nënvizoi rëndësinë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe aksesit gradual në Tregun Unik Europian.

Ibrahimaj deklaroi se Shqipëria ka performancën më të mirë në rajon në zbatimin e Planit të Rritjes, ndërsa kërkoi që vendet që janë gati të mund të avancojnë më shpejt në fusha të caktuara të integrimit ekonomik.

“Fleksibiliteti duhet të përshpejtojë integrimin, jo të krijojë fragmentim”, u shpreh ministrja.

Në fund të takimit, Ibrahimaj ftoi ministrat dhe partnerët ndërkombëtarë në Tiranë, në kuadër të 20-vjetorit të CEFTA-s, për të vijuar diskutimet mbi fazën e ardhshme të integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat