Analiza Postuar më 1 October 2026, 12:28

Tregtia dyfishon financimin/ Bizneset morën më pak kredi në total, por bujqësia rezultoi me rritje

Nga Xhorxhina Deda

Tregtia dyfishon financimin/ Bizneset morën më pak kredi në

Kredia e re për bizneset ka shënuar rënie gjatë gushtit, por pas totalit negativ fshihen diferenca të forta mes sektorëve të ekonomisë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, korporatat jofinanciare private morën 28.15 miliardë lekë kredi të reja, nga 30.89 miliardë lekë në gusht të vitit të kaluar, ose 8.9% më pak.

Peshën më të madhe në këtë rënie e kanë pasur transporti dhe ndërtimi. Kredia e re për transportin dhe magazinimin ra nga 5.5 miliardë lekë në vetëm 202 milionë lekë, një tkurrje prej më shumë se 96%. Edhe ndërtimi shënoi një rënie të fortë, nga 7.78 miliardë lekë në 2.56 miliardë lekë, ose rreth 67% më pak.

Në rënie ishte edhe financimi për energjinë, me 77%, ndërsa kredia për informacionin dhe komunikacionin u ul me rreth 34%. Industria nxjerrëse regjistroi gjithashtu një rënie shumë të fortë, prej afro 95%, megjithëse në vlera absolute pesha e saj është më e vogël.

Por jo të gjithë sektorët kanë frenuar. Tregtia ishte motori kryesor i kreditimit në gusht, me 14.53 miliardë lekë kredi të reja, nga 7.81 miliardë një vit më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej 86% dhe e bëri tregtinë sektorin me vlerën më të lartë të financimit të ri gjatë muajit.

Rritje shënuan gjithashtu industria përpunuese, me rreth 24%, dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me rreth 61%. Kredia për akomodimin dhe shërbimin ushqimor mbeti pothuajse në të njëjtin nivel, me një rritje prej vetëm 2.6%.

Edhe disa sektorë më të vegjël regjistruan ritme shumë të larta rritjeje, si shërbimet administrative, aktivitetet financiare bujqësia dhe shëndetësia, por përqindjet e tyre ndikohen edhe nga baza e ulët e një viti më parë.

Në tërësi, të dhënat e gushtit tregojnë se frenimi i kredisë për biznesin është përqendruar kryesisht në disa degë të mëdha, ndërsa tregtia vijon të tërheqë një pjesë gjithnjë e më të madhe të financimit bankar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat