Kosova Postuar më 1 October 2026, 11:23

Kosova drejt SEPA-s/ Ndryshimet për luftën kundër pastrimit të parave kalojnë në Kuvend, hapi i fundit para aplikimit

Nga Edel Strazimiri

Banka Qendrore e Kosovës mirëpret procedimin në Kuvend të ndryshimeve ligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Miratimi i tyre dhe hyrja në fuqi pritet të hapin rrugën për aplikimin final të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, SEPA.

BQK thotë se ka përfunduar pjesën kryesore të përgatitjeve institucionale dhe rregullative për këtë proces. Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve, pritet të miratohen edhe dy rregulloret e fundit që lidhen me kërkesat për anëtarësimin në SEPA.

Përfshirja në këtë zonë pritet të ulë ndjeshëm kostot e pagesave ndërkufitare. Sipas vlerësimeve të BQK-së, kursimet mund të kalojnë 55 milionë euro në vit, duke prekur veçanërisht remitancat, bizneset, eksportuesit dhe importuesit.

Pagesat në euro me vendet pjesë të SEPA-s pritet të bëhen më të shpejta, më efikase dhe me kosto më të ulët. BQK e konsideron këtë reformë një nga proceset kryesore për modernizimin e sistemit financiar të Kosovës dhe afrimin e tij me standardet europiane.

Krahas SEPA-s, banka qendrore po zhvillon edhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS Clone. Sipas BQK-së, të dyja reformat synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e pagesave, të nxisin konkurrencën dhe inovacionin dhe t'u japin qytetarëve e bizneseve akses në shërbime më të afërta me ato të tregut europian.

Për ekonominë e Kosovës, një integrim i tillë do të lehtësonte edhe transaksionet me partnerët europianë, duke reduktuar kostot për kompanitë dhe duke e bërë më të thjeshtë qarkullimin e parave nga jashtë vendit. BQK synon që përfitimet të shtrihen si te sektori financiar, ashtu edhe te qytetarët që kryejnë rregullisht pagesa ndërkufitare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat