Analiza Postuar më 1 October 2026, 11:00

Sa u shtrenjtuan fluturimet? Në Shqipëri, rritja kulmoi në gusht

Nga Eldiona Serani

flight-prices-WEB-1.avif

Muajt e verës shoqërohen tradicionalisht me një intensifikim të lëvizjeve të udhëtarëve, si për pushime, ashtu edhe për vizita te familjarët apo të afërmit. Kjo rritje e kërkesës për udhëtime reflektohet shpesh edhe në çmimet e transportit ajror, megjithëse ndryshimet nuk janë të njëjta në të gjitha vendet e Europës. Të dhënat për muajt qershor nga Eurostat, korrik dhe gusht tregojnë se çmimet e fluturimeve kanë ndjekur tendenca të ndryshme nga një shtet në tjetrin, me rritje të konsiderueshme në disa tregje dhe ulje të forta në të tjera.

Në Shqipëri, çmimet e fluturimeve kanë shënuar rritje gjatë të tre muajve të verës, duke kulmuar në gusht. Megjithatë, vendi nuk ka regjistruar ndryshimet më të mëdha në Europë, pasi në disa shtete të tjera rritja e çmimeve ka qenë shumë më e theksuar.

Gjatë muajit qershor, çmimet e transportit ajror në Shqipëri u rritën me 18.3%. Në të njëjtën periudhë, Kosova regjistroi rritjen më të lartë, me 64.4%, e ndjekur nga Gjeorgjia me 32.4%. Rritje u shënuan edhe në Austri dhe Belgjikë, duke treguar se shtrenjtimi i udhëtimeve ajrore preku disa tregje europiane në nisje të sezonit veror. Në kahun tjetër, Sllovakia dhe Hungaria shënuan uljet më të mëdha të çmimeve, në kontrast me tendencën rritëse të regjistruar në vende të tjera.

Gjatë muajit korrik, kur sezoni turistik hyri në një fazë më intensive, çmimet e fluturimeve vijuan të rriteshin në Shqipëri, duke shënuar një rritje prej 19.8%. Ndërkohë, Kosova thelloi diferencën me vendet e tjera, duke regjistruar një rritje të çmimeve prej 87.7%. Pas saj u rendit Turqia me 32.2%, ndërsa Gjeorgjia shënoi një rritje prej 22.9%.

Në të kundërt, disa vende regjistruan ulje të ndjeshme. Sllovakia vijoi të ishte ndër shtetet me rënien më të madhe të çmimeve të fluturimeve, me 43.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut shënoi një ulje prej 22.9%. Këto zhvillime tregojnë se, pavarësisht rritjes së lëvizjeve gjatë sezonit turistik, dinamika e çmimeve nuk ka qenë e njëjtë në të gjitha tregjet.

Gushti, muaji që përkon me kulmin e pushimeve verore, solli një tjetër rritje të çmimeve të fluturimeve në Shqipëri. Sipas të dhënave, shtrenjtimi arriti në 22.5%, duke shënuar rritjen më të lartë për vendin gjatë tre muajve të analizuar. Edhe në këtë periudhë, Kosova kryesoi listën e vendeve me rritjen më të madhe të çmimeve, e ndjekur nga Islanda. Nga ana tjetër, uljet më të forta vijuan të regjistroheshin në Sllovaki dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa rënie u shënuan edhe në Itali dhe Zvicër.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat