Shqipëria Postuar më 1 October 2026, 13:43

Ankand i ri për central diellor - Pas Karavastasë dhe Spitallës, synohet hapja e procedurës që do përfshijë dhe bateritë

Nga Ola Mitre

Ankand i ri për central diellor - Pas Karavastasë dhe Spitallës,

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë parashikon të hapë një ankand të ri për energjinë fotovoltaike në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027. Procedura do të zhvillohet në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa projektet pritet të përfshijnë edhe bateri për depozitimin e energjisë.

Përfshirja e baterive do të mundësonte ruajtjen e një pjese të energjisë së prodhuar gjatë orëve me diell dhe përdorimin e saj në momente të tjera, kur prodhimi fotovoltaik bie apo kërkesa për energji rritet. Kjo do të ndihmonte në shfrytëzimin më të mirë të centraleve diellore dhe në menaxhimin e furnizimit të rrjetit.

Kapaciteti që do të ofrohet për konkurrim, përmasat e sistemeve të depozitimit dhe kushtet e mbështetjes do të përcaktohen në dokumentet e procedurës.

Modeli i ankandeve është përdorur më herët për parqet fotovoltaike të Karavastasë dhe Spitallës. Konkurrimi mes investitorëve synon të sigurojë çmime më të favorshme për blerjen e energjisë, ndërsa kontratat afatgjata u japin kompanive më shumë siguri për të ardhurat dhe mundësi për financimin e investimit. Në këto dy procedura, BERZH ka mbështetur autoritetet shqiptare me asistencë teknike.

Shembulli më i dukshëm është Karavastaja, me fuqi të instaluar prej 140 MW, tashmë në operim. Ankandi u fitua nga kompania franceze Voltalia, me një ofertë prej 24.89 euro/mWh. Marrëveshja parashikon që gjysma e energjisë së prodhuar të blihet nga shteti me këtë çmim për 15 vjet, ndërsa pjesa tjetër të tregtohet në tregun e lirë. Çmimi fitues rezultoi më pak se gjysma e kufirit maksimal prej 55 euro/mWh, të përcaktuar në procedurë.

Një tjetër rezultat i konkurrimit ishte ankandi i Spitallës, i zhvilluar në vitin 2021. Edhe këtë procedurë e fitoi Voltalia, me çmimin 29.89 euro/mWh, për projektin e shpallur me kapacitet 100 MW. Sipas të dhënave të vendimit të licencimit të ERE-s, kapaciteti i miratuar për Spitallën është 90 MW dhe prodhimi duhet të nisë brenda vitit 2027. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat