Kosova Postuar më 1 October 2026, 14:33

Garë amerikanë për energjinë - Dy kompani të SHBA synojnë ndërtimin e sistemit të baterive në Kosovë

Nga Edel Strazimiri

Garë amerikanë për energjinë - Dy kompani të SHBA

Gara për një nga projektet më të rëndësishme energjetike në Kosovë ka hyrë në një fazë të re. Dy kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dorëzuar ofertat për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila njoftoi se tashmë do të nisë procesi i vlerësimit të ofertave. Sistemi i baterive do të ketë kapacitet prej 340 MWh dhe është planifikuar të ndërtohet në dy lokacione – Istog dhe Ferizaj.

Sipas ministres Rizvanolli, synimi është që punimet për realizimin e projektit të nisin gjatë vitit të ardhshëm. “Po i afrohemi realizimit të një prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në dekadat e fundit”, deklaroi Rizvanolli.

Projekti është pjesë e Programit Kompakt, me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i cili financohet përmes bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Qeverisë së Kosovës.

Investimi synon të kontribuojë në rritjen e sigurisë energjetike të Kosovës, përmes krijimit të kapaciteteve për ruajtjen e energjisë dhe menaxhimin më fleksibil të sistemit energjetik.

Rizvanolli ka falënderuar partnerët amerikanë, MCC-në dhe ekipin e MCA-Kosovës për mbështetjen në realizimin e projektit. “Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike të Kosovës”, tha ministrja.

Tashmë, ofertat e dorëzuara nga dy kompanitë amerikane pritet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit, pas të cilit do të përcaktohet kompania që do të ngarkohet me realizimin e projektit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat