Shqipëria Postuar më 15 October 2026, 14:21

Gati kamerat e votimit - KQZ përgatit monitorimin për vendoret 2027 

Nga SCAN TV

Gati kamerat e votimit - KQZ përgatit monitorimin për vendoret

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet teknike për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke hapur një tender me fond limit prej 34.8 milionë lekësh, ose rreth 380 mijë euro, për vënien në funksion të sistemit të kamerave në qendrat e votimit.

Sipas dokumenteve të prokurimit, projekti parashikon përgatitjen e pajisjeve të regjistrimit për 5,225 qendra votimi në të gjithë vendin. Investimi nuk përfshin zëvendësimin e plotë të kamerave ekzistuese, por kryesisht riparimin, konfigurimin dhe përgatitjen e tyre për procesin zgjedhor.

Konkretisht, KQZ parashikon blerjen e 137 kamerave të reja, 600 baterive dhe 52 kartave të memories, si dhe riparimin e 412 blloqeve të furnizimit me energji dhe 35 strukturave metalike.

Dokumentacioni përcakton edhe standardet e funksionimit gjatë ditës së zgjedhjeve. Kamerat duhet të regjistrojnë për të paktën 14 orë, ndërsa bateritë rezervë duhet të garantojnë vazhdimin e regjistrimit për dy orë në rast ndërprerjeje të energjisë elektrike.

Një tjetër kusht lidhet me ndërhyrjet teknike. Kompania që do të marrë përsipër shërbimin duhet të garantojë zëvendësimin e çdo pajisjeje të defektuar brenda dy orësh gjatë procesit të votimit.

Kamerat do të vendosen në pozicione që garantojnë regjistrimin e procesit, pa cenuar fshehtësinë e votës. Kontrata përfshin gjithashtu transportin e pajisjeve në komisionet zonale, mbështetjen teknike gjatë zgjedhjeve dhe administrimin e pamjeve filmike pas përfundimit të votimit.

Tenderi është rishpallur, pas anulimit të një procedure të mëparshme me të njëjtin fond limit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat