Shqipëria Postuar më 15 October 2026, 14:57

Tirana zgjeron shtigjet turistike - 35 km itinerare për Baldushkun dhe Shëngjergjin

Nga SCAN TV

Tirana zgjeron shtigjet turistike - 35 km itinerare për Baldushkun dhe

Dy zona natyrore në territorin e Bashkisë Tiranë pritet të përfitojnë nga investimet për përmirësimin e infrastrukturës turistike. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka hapur një tender me fond limit prej rreth 11 milionë lekësh për ndërtimin dhe sistemimin e shtigjeve turistike në pyje.

Dokumentacioni teknik përfshin dy itinerare, një drejt Ujëvarës së Kakunjës në Baldushk dhe një tjetër në zonën pyjore Fag–Verri, në Shëngjergj.

Projekti i parë parashikon përmirësimin e aksesit drejt Ujëvarës së Kakunjës, përmes një itinerari prej rreth 9.6 kilometrash, që kombinon rrugët ekzistuese me shtigjet këmbësore. Ndërhyrjet përfshijnë pastrimin dhe sistemimin e terrenit, stabilizimin e segmenteve të pjerrëta, ndërtimin e kanaleve kulluese dhe vendosjen e sinjalistikës.

Përgjatë itinerarit parashikohet edhe krijimi i tri pikave të pushimit, të pajisura me stola druri.

Projekti i dytë përfshin zonën Fag–Verri, ku është konceptuar një itinerar turistik prej rreth 26 kilometrash, që lidh Parpunjin, Fagun, rezervuarët e Kollagjeshit dhe Shpellzën. Rreth 11.6 kilometra janë segmente këmbësore, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga rrugë ekzistuese të kalueshme me mjete 4x4.

Në këtë zonë parashikohen ndërhyrje për përmirësimin e kalueshmërisë, ndërtimin e shkallëve dhe parmakëve në segmentet e vështira, vendosjen e tabelave orientuese dhe krijimin e pikave të pushimit. Projekti teknik përfshin gjithashtu një urë të vogël prej druri dhe sistemimin e burimeve ujore.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe zonës së Liqeneve të Kollagjeshit, për të cilën dokumentacioni propozon zhvillimin e hapësirave rekreative, me mundësi për piknik, kamping dhe aktivitete sportive në natyrë.

Të dy projektet synojnë përmirësimin e sigurisë së vizitorëve dhe shfrytëzimin e potencialit turistik të zonave rurale, me ndërhyrje që ruajnë karakterin natyror të terrenit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat