Shqipëria Postuar më 17 Prill 2024, 14:25

Fasonët, në situatë alarmante! - Në mars tekstilet dhanë kontributin më të lartë në rënien e eksporteve

Nga SCAN TV
Fasonët, në situatë alarmante! - Në mars tekstilet

Në muajin mars të këtij viti duket se eksportet në vlerë vijuan të thellohen edhe më tej, duke përshpejtuar rënien krahasuar me shkurtin. Kështu, shifrat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se në mars të vitit 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke u ulur me 21%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 3.4%, në krahasim me shkurtin e po të njejtit vit. Nga ana tjetër, importet janë paraqitur po ashtu me rënie në 7% duke arritur në 75 mld lekë dhe janë rritur me 1.3% krahasuar me shkurtin e vitit 2024.

Sipas të dhënave, në harkun kohor të tre muajve eksportet e mallrave arritën vlerën 95 mld lekë, duke u ulur me 23.3%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 209 mld lekë, duke u rritur me 0.4%, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë muajit mars të këtij viti, në rënien e eksporteve prej 16.1%, kanë ndikuar kryesisht grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 5.8 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 7.2 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4.6 pikë përqindje. Ndërkohë, në muajin mars, të dhënat tregojnë se nuk ka ndikuar pozitivisht asnjë grup në drejtim të eksporteve. Duket sikur fasonet po përjetojnë një situatë kritike, ndikuar kjo edhe nga rënia e euros.

Po të flasim për grupet që kanë kontribuar në rënien e importeve të dhënat tregojnë se negativisht në drejtim të importeve kanë ndikuar kryesisht grupet “Tekstile dhe këpucë” me 1.6 pikë përqindje dhe karburantet me 4.7 pikë përqindje.

Po ashtu ndikim negativ të konsiderueshëm në rënien e importeve patën edhe produktet kimike me 2.5 pikë. Pozitivsht kanë ndikuar vetëm ushqimet me 2 pikë dhe makinerite e pjesët e këmbimit me 2.7 piëk përqindje.

Në muajin mars të vitit 2024, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me marsin e vitit të kaluar janë Maqedonia e Veriut me 8.5%, Mbreteria e Bashkuar me 39.7%. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë Italia me 10.9%, Kosova 15. % dhe Greqia 22.6%.

Ndërkohë, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë Turqia me 7.1%, Kina me 0.9% dhe Gjermania 7.2%. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë Italia me 1.5%, SHBA me 26.6% dhe Maqedonia e Veriut me 27.5%.

Xhorxhina Deda/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat