Shqipëria Postuar më 17 Prill 2024, 11:29

Projekti hekurudhor i Korridorit VIII, në vëmendje të BE - Financohen 418 milionë euro për segmentin Durrës-Maqedoni e Veriut

Nga SCAN TV
Projekti hekurudhor i Korridorit VIII, në vëmendje të BE -

Projekti për dy segmentet hekurdhurore shqiptare të Korridorit VIII është në fazë përgatitore, ka bërë të ditur Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Vlera totale e investimit kap shifrën 2 miliardë euro, ku 400 milionë do të investohen në linjën hekurudhore që kalon në Shqipëri. Ky korridor formon lidhjen e brendshme lindje-perëndim midis Detit të Zi dhe Jonit, duke kaluar përmes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Segmenti i parë i kësaj hekurudhe në Shqipëri ka një shtrirje prej 33.5 km nga Durrësi në Rrogozhinë, ndërsa segmenti i dytë shtrihet në 120.3 km nga Rrogozhina deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

Vetëm pak ditë më parë, Hekurudha Shqiptare hapi tenderin me fond limit 450 mijë euro, për projektimin e elektrifikimit të linjës nga Durrësi deri në kufi me Maqedoninë e Veriut dhe afati i fundit i pranimit të ofertave është data 3 qershor 2024.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po përmirësojnë linjat ekzistuese dhe po ndërtojnë hallkat që mungojnë përgjatë korridorit, me qëllim shkurtimin e distancave fizike dhe zhvendosjen e sa më shumë pasagjerëve dhe mallrave përmes mënyrave të qëndrueshme të transportit. Me mbështetjen e Komisionit Evropian, këto investime po shoqërohen me masa reformuese për përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit hekurudhor.

Shtrirja lindore e Korridorit VIII, që ndërlidh Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë, është pjesë e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian dhe është projekti kryesor i Portës Globale të Bashkimit Evropian. Strategjia e Portës Globale lidh vendet dhe rajonet në mbarë botën duke inkurajuar investimet publike dhe private në një rrjet global të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit, energjisë së gjelbër, telekomunikacionit modern, arsimit dhe kërkimit.

Korridori VIII është një nga korridoret pan-evropiane, i cili përfshin si infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, dhe është konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe pasagjerëve midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik. Ai nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portet e Durrësit e Vlorës dhe më pas vazhdon drejt Elbasanit, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat