Bota Postuar më 31 Tetor 2023, 10:20

Facebook dhe Instagram, me pagesë në Europë - Deri 13 euro/muaj për përdoruesit që do të zgjedhin të mos shohin më reklama

Nga SCAN TV
Facebook dhe Instagram, me pagesë në Europë - Deri 13 euro/muaj

Meta vendos një version me pagesë të rrjeteve të saj sociale. Shoqëria e themeluar dhe e drejtuar nga Mark Zuckerberg do i ofrojë përdoruesve europianë mundësinë për të paguar një abonim mujor për të përdorur Facebook e Instagram pa reklama. Bëhet fjalë për një mundësi zgjedhjeje, jo një detyrim. Kjo në kuptimin që përdorimi falas i dy rrjeteve sociale mbetet ende i garantuar.

Ata që vendosin të mos bëjnë asnjë abonim, mund të vazhdojnë të përdorin falas këto shërbime, por duke u përballur dhe me më shumë reklama. Risitë pra kanë të bëjnë me reklamat, sepse në mënyrë që Meta të vazhdojë të mbledhë të ardhura duhet t’i gjej diku paratë.

Vendimi për aktivizimin e këtij plani abonimi u bë i ditur nga vetë shoqëria e cila me anë të një deklarate për media u shprej se beson në një internet falas të mbështetur nga reklamat dhe do të vazhdojnë të ofrojnë qasjen falas ndaj produkteve dhe shërbimeve pavarësisht nga mundësitë e ndryshme ekonomike. Gjithashtu u premtua se informacionet e personave do të mbeten private dhe të sigurta, në bazë të normativave të kompanisë dhe rregullores së Bashkimit Europian për mbrojtjen e të dhënave.

Për të qenë në përputhje me rregulloret europiane në zhvillim të vazhdueshëm kompania e Mark Zuckerberg prezantoi mundësinë e marrjes së një abonimi në BE dhe Zvicër. Në nëntor do t'u ofrohet njerëzve që përdorin Facebook ose Instagram që banojnë në këto rajone mundësia që të vazhdojnë t'i përdorin këto shërbime të personalizuara falas me reklama, ose të marrjes së një abonimi për të ndaluar reklamat. Informacioni i personave që vendosin të abonohen nuk do të përdoret për reklama.

Por sa kushton një abonim në Facebook dhe Instagram? Në varësi të faktit nëse zgjidhet aktivizimi i abonimit në ueb apo nga celulari kostoja do të jetë 9.99 euro në muaj në ueb ose 12.99 euro në muaj në iOS dhe Android. Pavarësisht se ku blihet, abonimi do të jetë i vlefshëm për të gjitha llogaritë e Facebook dhe Instagram të lidhura me Qendrën e Menaxhimit të Llogarisë. Deri më 1 mars 2024, abonimi fillestar do të jetë i vlefshëm për të gjitha llogaritë e lidhura me Qendrën e Menaxhimit të Llogarisë.

Nga data 1 mars 2024 e në vazhdim, për çdo llogari shtesë të futur në Qendrën e Menaxhimit të Llogarive të përdoruesit, do të aplikohet një kosto shtesë prej 6 euro në muaj për abonimet në ueb dhe 8 euro në muaj për ato të aktivizuara në iOS dhe Android.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat