Bota Postuar më 30 Tetor 2023, 19:27

Ari “thyen” nivelin psikologjik të 2,000 USD - Mbështetet nga konflikti në Lindjen e Mesme, tregjet presin FED

Nga SCAN TV
Ari “thyen” nivelin psikologjik të 2,000 USD - Mbështetet

Ari po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, duke tejkaluar madje nivelin teknik të 2,000 dollarëve, për shkak se kërkesa për asete të sigurta është rritur edhe më tej, si pasojë e frikës për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, investitorët po presin edhe takimin e Rezervës Federale, që përfundon të mërkurën.

Kontrata “spot” për arin po tregtohet në rreth 2,000 dollarë për onz, ndërsa kontrata “futures” po tregtohet pak më lirë, në rreth 1995 dollarë për onz. Për herë të parë që nga maji i këtij viti, ari ka tejkaluar nivelin psikologjik të 2,000 dollarëve, për shkak të rritjes së kërkesës për asete me risk. Sipas analistëve, metali i çmuar është mbështetur nga parashikimet se pushtimi tokësor i Rripit të Gazës do të vazhdojë.

Palestinezët në Gaza raportuan sulme të ashpra ajrore dhe artilerie të hënën, ndërsa trupat izraelite të mbështetura nga tanke u futën në një sulm tokësor. Lojtarët e tregut tashmë po presin edhe vendimet e politikave monetare të bankës qendrore në SHBA, ndërsa fokusi do të jetë të komentet e kryetarit të FED, Jerome Powell.

Të dhënat e forta ekonomike do ta detyrojnë Rezervën Federale të mbajë një ton të ashpër, pavarësisht shqetësimeve për konfliktin në Lindjen e Mesme.

Sipas një sondazhi të Reuters, presionet inflacioniste do të ndikojnë mbi ekonominë globale edhe vitin e ardhshëm, duke sugjeruar se normat e interesit do të mbeten të larta për një kohë më të gjatë. Edhe pse ari shihet si një mbrojtje kundër inflacionit, normat më të larta të interesit e zbehin interesin e investitorëve ndaj këtij metali.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat