Bota Postuar më 30 Tetor 2023, 16:13

Biden, urdhër për kompanitë e AI - Do të raportojnë rezultatet e testeve të sigurisë

Nga SCAN TV
Biden, urdhër për kompanitë e AI - Do të raportojnë

Kompanitë, modelet e inteligjencës artificiale të të cilave mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së, do të duhet të tregojnë se si po sigurojnë pajisjet e tyre, sipas një urdhri gjithëpërfshirës të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili synon të frenojë rreziqet e paraqitura nga teknologjia e re.

Urdhri, të cilin presidenti amerikan e lëshoi të hënën, është hapi më i gjerë i ndërmarrë nga administrata deri më tani në trajtimin e kërcënimeve të AI, nga siguria kombëtare te konkurrenca dhe privatësia e konsumatorëve. Masa synon të mobilizojë agjencitë në të gjithë Uashingtonin, duke përfshirë departamentet e tregtisë, energjisë dhe sigurisë së vendit.

“Presidenti Biden po zbaton masat më të fuqishme, që një qeveri në botë ka ndërmarrë ndonjëherë për sigurinë dhe besimin në Inteligjencën Artificiale”, deklaroi Bruce Reed, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë. “Është hapi i radhës drejt një strategjie agresive për të bërë gjithçka në të gjitha frontet për të shfrytëzuar përfitimet e Inteligjencës Artificiale dhe për të zbutur rreziqet”, shtoi ai.

Urdhri vjen në një kohë vendet në të gjithë botën përballen me mënyrën se si të rregullojnë kompanitë dhe modelet e Inteligjencës Artificiale që nuk mbikëqyren natyrshëm nga autoritetet. Gary Gensler, kryetar i Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA, deklaroi për Financial Times se një krizë financiare ishte “pothuajse e pashmangshme” brenda një dekade, nëse rregullatorët nuk arrijnë të menaxhonjnë rreziqet e Inteligjencës Artificiale.

Masat vijnë vetëm dy ditë përpara se zëvëndëspresidentja e SHBA, Kamala Harris, e ngarkuar për tu marrë me Inteligjencën Artificiale, të mbajë një fjalim në Londër rreth politikës së SHBA-së, përpara se të marrë pjesë në samitin e Bletchley Park në Mbretërinë e Bashkuar, ku liderët botërorë dhe drejtuesit e kompanive të teknologjisë do të diskutojnë rregullat bazë për zhvillimin e AI.

 

Edhe Bashkimi Europian ka ecur me shpejtësi në këtë drejtim, duke hartuar masa të ashpra mbi përdorimin e teknologjisë në një ligj novator që pritet të miratohet deri në fund të vitit. Por SHBA është ende duke vlerësuar se cilat aspekte të AI kërkojnë rregullore të reja dhe çfarë i nënshtrohet statuteve ekzistuese.

I pyetur nëse ligji i BE-së kishte ndikuar në urdhrin e Biden, një zyrtar i lartë i administratës tha: "Unë nuk mendoj se jemi në një garë. Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me BE në këtë drejtim”, tha zyrtari.

Figurat kryesore të industrisë, duke përfshirë bashkëthemeluesin e OpenAI, Sam Altman, kanë udhëtuar në mbarë globin për të diskutuar ndikimin e mundshëm të mjeteve që po zhvillojnë. Altman dhe të tjerë kanë pasur një ton pajtues me rregullatorët, por i rezistuan thirrjeve për të penguar ose ngadalësuar zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, që po bëhet gjithmonë e më e fuqishme. Në muajin maj, Altman paralajmëroi se kompania e tij mund të "pushonte së funksionuari" në Evropë nëse përpjekjet e Brukselit për të rregulluar teknologjinë do të ishin të rrepta. Por, më vonë ai u tërhoq nga komentet.

Urdhri i Biden përshkallëzon politikën e SHBA-së për Inteligjencën Artificiale, pasi 15 kompani përfshirë Amazon, Google, Meta, Microsoft dhe OpenAI, morën angazhime vullnetare në fillim të këtij viti për të menaxhuar rreziqet e teknologjisë. Shtëpia e Bardhë do të përdorë Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes, një ligj i Luftës së Ftohtë i përdorur në kulmin e pandemisë Covid-19, për të detyruar bizneset që zhvillojnë modele të AI që paraqesin rreziqe serioze për sigurinë kombëtare, sigurinë ekonomike ose shëndetin publik, të raportojnë rezultatet e tyre të sigurisë.

Lidion Kulla / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat