Bota Postuar më 30 Tetor 2023, 17:29

Bursat e nisin javën në rritje - HSBC raporton rritje të fitimeve pas taksave me 235% në T3

Nga SCAN TV
Bursat e nisin javën në rritje - HSBC raporton rritje të fitimeve

Bursat europiane po qëndrojnë në rritje në sesionin e parë të kësaj jave, pavarësisht luhatshmërisë që ofron lufta në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe Hamasit. Gjithashtu, investitorët po presin edhe të dhënat mbi inflacionin në Spanjë dhe Gjermani. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rritje me rreth 0.6%, ndërsa shumica e sektorëve janë në rritje. Aksionet në sektorin e medias dhe të udhëtimeve realizojnë fitimet më të mëdha, në rritje me rreth 1%.

Referuar të dhënave të Refinitiv, indeksi Stoxx 600 ka humbur rreth 4.6% të vlerës gjatë këtij muaji, për shkak të shqetësimeve për norma të larta interesi për një kohë të gjatë, tensioneve gjeopolitike dhe fitimeve tremujore të korporatave.

Ndërkohë, banka britanike HSBC raportoi një rritje të fitimit pas taksave prej 235%, gjatë tremujorit të tretë të vitit, në totalin e 6.26 miliardë dollarëve. Banka më e madhe në Europë për nga asetet njoftoi një riblerje të aksioneve në vlerën e 3 miliardë dollarëve. Investitorët po tregohen të kujdesshëm, pasi po presin takimin e Rezervës Federale të mërkurën dhe të dhënat mbi punësimin për tetorin në SHBA.

Për sa i përket konfliktit në Lindjen e Mesme, forcat izraelite kanë vijuar operacionin tokësor në Gaza, gjatë natës së kaluar, ndërsa vendi hyn në fazën e dytë të luftës kundër Hamasit. Izraeli ka deklaruar se do të vazhdojë sulmet në shkallë të gjerë, në ndjekje të militantëve të Hamasit, përgjegjës për masakrën e 7 tetorit.

Numri i të vdekurve në Gaza që kur Izraeli filloi fushatën e bombardimeve më 7 tetor ka tejkaluar 8,000, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Bregun Perëndimor.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat