Analiza Postuar më 30 Mars 2026, 12:31

Bankat japin më shumë hua për bizneset/ Kredia e re në shkurt arriti në 30.3 miliardë lekë me një zgjerim prej 5.7%

Nga Scan TV

Bankat japin më shumë hua për bizneset/ Kredia e re në

Sipas të dhënave të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, totali i kredisë ka arritur në 946.8 miliardë lekë në Shkurt të vitit 2026, me një rritje të konsiderueshme prej 11.6%, krahasuar me Shkurtin e vitit të kaluar, dhe një rritje prej 0.8%, krahasuar me Janarin e po të njëjtit vit. Pra, nëse flasim në shifra absolute, rezulton se në harkun kohor të një viti regjistron një rritje prej 98 miliardë lekësh.

Në të njëjtën kohë, huaja e re e disbursuar nga sistemi bankar gjatë muajit shkurt arriti në 30.3 miliardë lekë, nga 28.7 miliardë lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje vjetore prej rreth 5.7%, ndërsa niveli i shkurtit 2026 rezulton më i larti për këtë muaj në serinë e paraqitur nga Banka e Shqipërisë.

Zgjerimi i huadhënies së re është mbështetur kryesisht nga biznesi. Kreditë e reja për korporatat jofinanciare private arritën në 20.55 miliardë lekë në shkurt, nga 17.75 miliardë lekë një vit më parë, ose rreth 15.8% më shumë. Kjo tregon se kërkesa për financim nga sektori privat mbetet e qëndrueshme, në një kohë kur bizneset po mbështeten më fort te kredia bankare.

Ndryshe paraqitet ecuria e huadhënies për individët dhe institucionet jofitimprurëse që u shërbejnë atyre. Në këtë segment, kreditë e reja ranë në 9.53 miliardë lekë, nga 10.58 miliardë lekë në shkurt 2025, duke shënuar një tkurrje vjetore prej rreth 9.9%. Kjo do të thotë se, megjithëse stoku total i kredisë vijon të rritet, ritmi i huamarrjes së re nga individët është ngadalësuar krahasuar me një vit më parë.

Rënie më e fortë është regjistruar te kreditë për blerje banesash. Totali i kësaj kategorie zbriti në 3.87 miliardë lekë në shkurt 2026, nga 5.62 miliardë lekë në shkurt 2025, ose rreth 31.3% më pak në terma vjetorë. Kjo tregon se kredia për pasuri të paluajtshme ka humbur vrullin e vitit të kaluar.

Rënia e kredisë së re për blerje banesash në shkurt duket të jetë pasojë e filtrave më të fortë të vendosur nga Banka e Shqipërisë për kreditë hipotekore. Prej korrikut të vitit të kaluar, këto kufizime kanë ngushtuar mundësinë e financimit të plotë të pronës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat