Shqipëria Postuar më 30 Mars 2026, 11:56

Cilët janë sektorët me më shumë shkelje në punë? - Rriten me 40% inspektimet nga ankesat. Tirana kryeson

Nga Diamila Leka

Cilët janë sektorët me më shumë shkelje në

Gjatë vitit 2025, Inspektoriati i Punës ka regjistruar një rritje të ndjeshme të inspektimeve të nisura si rezultat i denoncimeve dhe ankesave nga qytetarët. Në total janë kryer 963 inspektime, duke shënuar një rritje me 40% krahasuar me vitin 2024.

Rritja është e dukshme edhe në sektorin publik, ku ndërmarrjet shtetërore përbëjnë 10% të totalit të ankesave, me një shtim prej 77% krahasuar me një vit më parë. Rajoni i Tiranës vijon të mbajë peshën kryesore të inspektimeve për shkak ankese, duke përbërë 76% të totalit kombëtar, ose 733 raste. Sa i përket shpërndarjes sipas sektorëve ekonomikë, tregtia kryeson me 26% të ankesave, duke mbetur një nga sektorët më problematikë për respektimin e kontratave të punës.

Ky sektor ka shënuar një rritje prej 60% të ankesave, e lidhur edhe me fushatat ndërgjegjësuese të zhvilluara nga institucioni. Ndërmarrjet prodhuese përbëjnë 17% të ankesave, ku pjesa më e madhe lidhet me industrinë fason, e cila gjatë vitit 2025 është karakterizuar nga luhatje të tregut dhe ndikime në marrëdhëniet e punës. Edhe ky sektor ka shënuar një rritje me 6% të ankesave krahasuar me një vit më parë.

Sektori i ndërtimit përfaqëson 7% të ankesave, duke reflektuar një ndërgjegjësim në rritje në një fushë të konsideruar me risk të lartë. Ndërsa pjesa më e madhe, rreth 39%, i përket kategorisë “të tjera”, ku përfshihen ndërmarrjet shtetërore, arsimi, agjencitë e punësimit dhe shërbimet e sigurisë fizike.

Të dhënat në tërësi tregojnë se inspektimet për shkak ankese mbeten një instrument thelbësor për reagimin ndaj shkeljeve të të drejtave në punë, duke u përqendruar kryesisht në sektorët me dinamikë të lartë punësimi dhe risk më të madh për abuzime.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat