Shqipëria Postuar më 7 Shtator 2026, 11:23

54% energji e rinovueshme deri në 2030 - Qeveria rishikon planin. Masa për prodhimin, konsumin dhe transportin

Nga Ola Mitre

54% energji e rinovueshme deri në 2030 - Qeveria rishikon planin. Masa

Deri në vitin 2030, 54% e konsumit final të energjisë duhet të mbulohet nga burimet e rinovueshme. Objektivi është pjesë e Planit të ri Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2020–2030, dokumenti bazë për politikat energjetike dhe klimatike të vendit deri në fund të dekadës. Ai zëvendëson tërësisht planin e miratuar në vitin 2021, që parashikonte një objektiv disi më ambicioz prej 54.4%, teksa në fushën e eficiencës, plani i ri synon një reduktim me 8.4% të konsumit të energjisë kundrejt skenarit referencë.

Për arritjen e këtyre objektivave, një prej drejtimeve kryesore është diversifikimi i prodhimit të energjisë elektrike, përmes shtimit të burimeve diellore dhe të erës. Aktualisht, sistemi shqiptar mbështetet në pjesën dërrmuese te hidrocentralet, duke e bërë prodhimin të ndjeshëm ndaj reshjeve dhe kushteve klimatike. Për këtë arsye, plani parashikon vijimin e mbështetjes për kapacitete të reja të rinovueshme, krahas vetëprodhimit të energjisë.

Integrimi i më shumë burimeve diellore dhe eolike kërkon edhe ndërhyrje në sistemin elektroenergjetik. Plani përfshin forcimin dhe modernizimin e rrjeteve, rritjen e fleksibilitetit të sistemit dhe zhvillimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë, me qëllim përballimin e prodhimit të ndryshueshëm nga burimet e rinovueshme.

Një tjetër shtyllë është ulja e konsumit përmes eficiencës së energjisë. Masat prekin ndërtesat publike dhe rezidenciale, përmes përmirësimit të performancës së tyre energjetike dhe përdorimit të teknologjive e pajisjeve më eficiente.

Ndërhyrje parashikohen edhe në transport, një prej sektorëve me peshën më të madhe në konsumin final të energjisë. Elektrifikimi i transportit, zgjerimi i infrastrukturës së karikimit, transporti publik dhe rritja e përdorimit të burimeve të rinovueshme janë ndër drejtimet që synojnë reduktimin e varësisë nga karburantet fosile.

Paralelisht, plani përcakton masa në industri, bujqësi, përdorimin e tokës dhe pyjeve, si dhe menaxhimin e mbetjeve. Përmes tyre synohet që shkarkimet e gazeve me efekt serrë në vitin 2030 të kufizohen në rreth 10.21 mln tonë CO₂ ekuivalent.

 

Shqipëria 7 Shtator Edel Strazimiri

Java nis negativisht për valutat e huaja

Dollari amerikan e ka nisur negativisht këtë javë duke regjistruar sërish zbritje të vlerës krahasuar me javën që lamë pas teksa është blerë këtë mëngjes me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat