Analiza Postuar më 7 Shtator 2026, 11:10

Një në pesë banorë, nën 18-të vjeç/ Si renditet Shqipëria krahasuar me rajonin dhe botën?

Nga Eldiona Serani

Një në pesë banorë, nën 18-të vjeç/ Si

Përqindja e popullsisë nën 18 vjeç është një nga treguesit që ndihmon për të kuptuar strukturën demografike të një vendi. Ajo tregon se sa e re është shoqëria dhe lidhet drejtpërdrejt me nevojat për arsim, shërbime shëndetësore, punësim dhe politika sociale në të ardhmen. Por si paraqitet Shqipëria në këtë drejtim dhe sa e madhe është pesha e fëmijëve në popullsinë e saj?

Sipas të dhënave të publikuara nga Visual Capitalist, bazuar në statistikat e United Nations, 20.1% e popullsisë së Shqipërisë është nën 18 vjeç. Kjo do të thotë se rreth një në pesë banorë të vendit i përket kësaj grupmoshe.

Në raport me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet në një pozicion relativisht të favorshëm. Mali i Zi kryeson me 21.8% të popullsisë nën 18 vjeç, ndërsa Maqedonia e Veriut ka të njëjtën përqindje si Shqipëria, 20.1%.

Nga ana tjetër, pesha e popullsisë së re është më e ulët në Serbi, ku fëmijët nën 18 vjeç përbëjnë 17.2% të popullsisë, dhe në Bosnje-Hercegovinë, me 15.9%. Këto shifra tregojnë se vendet e rajonit nuk përballen njësoj me ndryshimet demografike, ndërsa rënia e lindjeve dhe plakja e popullsisë mbeten sfida të rëndësishme për shumë shoqëri.

Kur krahasimi zgjerohet në nivel global, diferencat bëhen edhe më të dukshme. Sipas publikimit, 28 nga 30 vendet me përqindjen më të lartë të popullsisë nën 18 vjeç janë afrikane. Përjashtimet janë Afganistani dhe Jemeni.

Kjo strukturë e re demografike lidhet kryesisht me normat më të larta të lindshmërisë në këto vende. Megjithatë, edhe brenda Afrikës ka ndryshime të rëndësishme, pasi ritmi i rënies së lindshmërisë dhe madhësia e familjeve nuk janë të njëjta në të gjitha shtetet.

Në skajin tjetër të renditjes qëndrojnë disa prej shoqërive më të plakura të botës. Koreja e Jugut, Japonia, Tajvani dhe Singapori kanë më pak se 15% të popullsisë nën 18 vjeç.

Përqindje të ulëta të popullsisë nën 18 vjeç regjistrohen edhe në disa vende europiane. Greqia, Monako dhe Italia kanë të gjitha më pak se 20% të popullsisë në këtë grupmoshë.

Krahasuar me këto vende, Shqipëria ka një peshë disi më të lartë të popullsisë së re. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vendi është jashtë sfidave demografike. Përkundrazi, ndryshimet në lindshmëri, emigracioni dhe plakja e popullsisë mbeten faktorë që mund të ndikojnë në strukturën e saj në vitet e ardhshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat