Shqipëria Postuar më 30 Mars 2026, 12:25

Mbi 30 vite punë për të blerë një banesë - Shteti do të vijojë garantimin e kredisë për mësuesit 

Nga Fabjona Pasho

Mbi 30 vite punë për të blerë një banesë - Shteti

Kryeministri Edi Rama njoftoi së fundmi se do të vijojë programin që shteti të garantojë kredi për blerje banese për policët, mësuesit, mjekët dhe infermierët.  Këto skema lehtësuese të kredive me interes zero po trajtohen gjithnjë e më shumë si një instrument i domosdoshëm social, jo thjesht si një lehtësi financiare.

Nëse marrim rastin e mësuesve, skema nisi të marrë formë konkrete për arsimin parauniversitar në vitin 2024, kur për mësuesit u miratuan 30 kuota, ndërsa në vitin 2025 ajo u zgjerua ndjeshëm, me 90 kuota vetëm për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, brenda një totalit prej 530 kuotash për administratën publike. Aplikimi bëhet në e-Albania, përzgjedhja kalon përmes sistemit të pikëzimit dhe kushtet janë të qarta: aplikanti nuk duhet të ketë banesë në pronësi, ose duhet ta ketë nën normat e strehimit, nuk duhet të zotërojë pasuri të konsiderueshme dhe nuk duhet të jetë përfitues nga programe të tjera strehimi social.

Problemi që po tenton të zgjidhë kjo skemë është raporti i zhdrejtë i pagës me çmimet e banesave. Një mësues në arsimin parauniversitar ka një pagë mesatare rreth 84 mijë lekësh neto. 

Llogaritja e thjeshtë e tregon menjëherë hendekun. Për një apartament standard 90 metra katrorë në periferi të Tiranës, si në Paskuqan, çmimi orientues del rreth 94 mijë euro, ndërsa në Astir rreth 148 mijë euro. Me pagën aktuale, një mësuesi do t’i duheshin rreth 7.5 vite pune vetëm për një apartament në Paskuqan dhe gati 12 vite për një apartament në Astir, nëse do ta shpenzonte të gjithë pagën vetëm për shtëpinë. Ndërkaq, nëse kursen vetëm 30% të pagës neto, afati shkon në rreth 31 vite në Paskuqan dhe afro 49 vite në Astir.

Edhe në rrethe, ku tregu është më i lirë, diferenca mbetet e fortë. Në Elbasan, Korçë dhe Fier, një apartament 90 metra katrorë del afërsisht nga 89 mijë deri në 95 mijë euro. Edhe këtu, një mësuesi do t’i duheshin rreth 7 deri në 7.6 vite të tëra pagë bruto, ndërsa me një kursim realist prej 30% të pagës neto, koha shkon afërsisht në 29 deri në 31 vite. Kjo do të thotë se edhe jashtë Tiranës, banesa mbetet e vështirë për t’u përballuar vetëm me të ardhurat nga paga. E situate vështirësohet më shumë nëse llogaritet norma e interesit të kredisë. Pikërisht këtu hyn arsyeja pse ndërhyrja e shtetit shihet si e domosdoshme dhe jo vetëm që bëhet fjalë për 0 interes, por shteti luan rolin e ndërmjetët dhe garanton institucionet financiare në rast të mospagimit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat