Shqipëria Postuar më 9 Janar 2026, 10:57

Shqiptarët i thonë jo SMS-ve! - AKEP: Kërkojnë më shumë internet. A po ofron tregu çmime të drejta për paketat?

Nga Ledina Elezi

Shqiptarët i thonë jo SMS-ve! - AKEP: Kërkojnë më

Rreth 10.41 GB Internet, 129 minuta dalëse dhe 11 SMS ka konsumuar mesatarisht një shqiptar gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025.

Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024, konsumi mesatar i internetit shënoi rritjen më të madhe me 21.2%, thirrjet u rritën më pak, ndërsa konsumi mesatar i SMS-ve ishte i vetmi që ra me 4%.

Pra, trendi vijon të jetë i njëjtë. Duam më shumë internet dhe minuta, por më pak SMS. Komunikimi me mesazhe në WhatsApp ka zvogëluar ndjeshëm përdorimin e SMS-ve.

Raporti ndërmjet ofertës dhe kërkesës për shërbime celulare në Shqipëri është më tepër i zhdrejtë se i drejtë. Në kushtet kur kompanitë duhet të ofrojnë shërbime për të cilat qytetarët kanë më tepër kërkesë e nevojë, dhe në këtë rast paketa me më pak SMS dhe më shumë internet, situata paraqitet ndryshe.

Pak vite më parë kur edhe numri i kompanive celulare ishte më i madh dhe jo vetëm dy siç është sot, çmimet e paketave ishin disa herë më të lira dhe shpesh përmbanin më shumë GB dhe minuta.

Me largimin nga tregu të një operatori dhe përthithjes së një tjetri nga një operator që është aktualisht aktiv në treg, dy kompanitë e mbetura po ofrojnë paketa që shpesh nuk përfshijnë shërbime celulare për të cilat qytetarët kanë më tepër nevojë. Kjo nënkupton më pak njësi interneti apo minutash dhe çmime shumë herë më të larta se më parë.

Në shtator të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim paraprak për në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, që përfshin ndërmarrjet Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA, për periudhën 1 janar 2022 – 25 korrik 2025.

Ky hetim synon të mbrojë interesat e konsumatorëve shqiptarë, duke garantuar një treg sa më të lirë dhe konkurrent, ku çdo qytetar dhe biznes të ketë mundësinë të zgjedhë shërbimin që i përshtatet më shumë, me cilësi dhe me çmime të drejta.

Në atë kohë, Autoriteti i Konkurrencës i bëri thirrje të gjithë përdoruesve të shërbimeve celulare që të ndanin ankesat e tyre lidhur me këtë treg.

Nëse ka pasur një marrëveshje të fshehtë midis operatorëve për fiksimin e çmimeve, kjo do të merret vesh pas përfundimit të hetimit të Autoritetit të Konkurrencës.

Vetëm atëherë do të kuptohet nëse ky raport i zhdrejtë ndërmjet asaj që qytetarët kërkojnë dhe kompanitë ofrojnë, shoqëruar me çmimet e larta, vjen për shkak të praktikave abuzuese apo për shkak të investimeve që realisht kompanitë po bëjnë për përmirësimin e rrjeteve të tyre, për mbulimin e kostove të të cilave po rrisin çmimet.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat