Shqipëria Postuar më 12 Dhjetor 2025, 12:12

Plani 10-vjeçar i gazit - ERE shtyn sërish miratimin, kërkon nga ALBGAZ dokumente shtesë

Nga Ola Mitre

Plani 10-vjeçar i gazit - ERE shtyn sërish miratimin, kërkon

Enti Rregullator i Energjisë ka shtyrë miratimin e planit 10-vjeçar të investimeve të shoqërisë shtetërore ALBGAZ, për shkak të mosplotësimit të plotë të dokumentacionit të kërkuar rregullator.

Bëhet fjalë për planin e investimeve 2023–2032, i cili parashikon një vlerë totale prej 748 milionë eurosh për gazifikimin e vendit dhe zhvillimin e infrastrukturës së gazit natyror. Ky është një proces që është shtyrë edhe më herët nga Bordi i ERE-s, duke i kërkuar ALBGAZ-it plotësimin e elementëve teknikë, financiarë dhe ligjorë, përpara miratimit përfundimtar.

Sipas planit të depozituar, projektet prioritare përfshijnë tubacionin nga pika e TAP-it në Fier drejt TEC-it të Vlorës, gazsjellësin Fier–Ballsh, si dhe gazsjellësin Adriatiko–Jonian në seksionin e Tiranës dhe Durrësit. Vetëm për periudhën afatshkurtër, portofoli i investimeve parashikohet të arrijë në 212.7 milionë euro, nga të cilat rreth 30.4 milionë euro janë kontribute direkte kapitale nga ALBGAZ, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet nga shoqëritë e projekteve.

Aktualisht, aktiviteti i gazit në Shqipëri mbetet i kufizuar, ndërsa rrjeti ekzistues prej rreth 498 kilometrash është i amortizuar dhe përdoret me kapacitete minimale.

Shtyrja e vendimmarrjes nga ERE konsiderohet procedurale, por njëkohësisht shtyn edhe miratimin e një prej dokumenteve strategjike për zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri, i cili shihet si kyç për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe reduktimin e varësisë nga energjia elektrike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat