Shqipëria Postuar më 12 Dhjetor 2025, 11:28

Energjia, tarifat e reja të shpërndarjes - ERE miraton vendimin, i mban të pandryshuara deri në muajin prill

Nga Ola Mitre

Energjia, tarifat e reja të shpërndarjes - ERE miraton vendimin, i

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të lërë në fuqi tarifat aktuale të shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike deri në prill të vitit 2026, duke mos bërë ndryshime në strukturën tarifore për 4 muajt e ardhshëm.

Tarifat e shpërndarjes janë një komponent kyç i çmimit final të energjisë elektrike dhe aplikohen në mënyrë të diferencuar sipas nivelit të tensionit në të cilin lidhen konsumatorët me rrjetin. Ato variojnë nga tarifat për konsumatorët në tension të ulët (0.4 kV), ku përfshihen familjarët dhe bizneset e vogla, deri tek tarifat për tensionin e mesëm (6, 10, 20 dhe 35 kV), ku operojnë kryesisht bizneset e mëdha dhe konsumatorët industrialë.

Për bizneset në tregun e lirë të energjisë, tarifat e shpërndarjes përbëjnë një zë të rëndësishëm në faturën mujore, pasi ato i shtohen çmimit të energjisë së blerë nga furnizuesit privatë, tarifës së transmetimit dhe kostove të tjera rregullatore. Në këtë kuadër, mbajtja në fuqi e tarifave ekzistuese krijon parashikueshmëri të kostove që paguhen për energjinë.  Vendimi i ERE shmang rritje të menjëhershme të kostove për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet prodhuese dhe shërbimet me konsum të lartë energjie, të cilat janë më të ekspozuara ndaj ndryshimeve tarifore në rrjet.

Sipas tarifave në fuqi, për klientët e lidhur në tensionin 35 KV tarifa është 1.55 lekë/kWh, ndërsa për abonentët e lidhur në tensionin 20, 10 dhe 6 KV aplikohet tarifa prej 3.99 lekë/këh.

Tarifat e shpërndarjes mbulojnë kostot e operimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit elektrik, investimet në infrastrukturë, si dhe garantimin e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit, duke qenë një element themelor në funksionimin e gjithë zinxhirit energjetik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat