Lista e zezë e bixhozxhinjve, ja vendimi që u miratua së fundi nga qeveria

Në mbledhjen e saj të sotme qeveria ka vendosur të krijohet një regjistër elektronik ku të përfshihen të gjithë personat, për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit apo në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike, ku mund të luhen lojëra fati. Sipas aktiti vendimi ka si qëllim, parandalimin, minimizimin dhe eliminimin e pasojave socio-ekonomike të lidhura me frekuentimin e lojërave të fatit nga ana e personave që shfaqin probleme me përdorimin e lojërave të fatit. Ky regjistër elektronik i personave të ndaluar në mjediset e bixhozit do të administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit. Ai do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë organizatorët e lojrave të fatit.
Është për tu theksuar fakti se kërkesa mund të bëhet edhe nga vetë lojtari.
Në vijim vendimi i miratuar sot në Këshillin e Ministrave:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, MBAJTJEN DHE FUNKSIONIMIN E REGJISTRIT ELEKTRONIK TË PERSONAVE, PËR TË CILËT ËSHTË VENDOSUR MOSLEJIMI PËR T’U FUTUR NË AMBIENTET E LOJËRAVE TË FATIT, NË FAQE INTERNETI, NË APLIKACIONE OSE NË PLATFORMË ELEKTRONIKE, KU MUND TË LUHEN LOJËRAT E FATIT, SIPAS KATEGORISË SË LICENCUAR, SI DHE RREGULLAT PËR PARAQITJEN, SHQYRTIMIN, MIRATIMIN, ANULIMIN APO REFUZIMIN E KËRKESËS PËR MOSLEJIMIN E PERSONAVE PËR TË HYRË NË AMBIENTET E LOJËRAVE TË FATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton:
a) krijimin e regjistrit elektronik të personave, për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit apo në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike, ku mund të luhen lojëra fati, sipas kategorisë së licencuar;
b) rregullat për paraqitjen, shqyrtimin, miratimin, anulimin apo refuzimin e kërkesës për moslejimin e personit për të hyrë në ambientet e lojërave të fatit, në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike, ku mund të luhen lojëra fati, sipas kategorisë së licencuar;
c) rregullat e mbajtjes e të funksionimit të regjistrit elektronik të personave, për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit, në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike, ku mund të luhen lojëra fati, sipas kategorisë së licencuar.
2. Ky vendim ka si qëllim, gjithashtu, parandalimin, minimizimin dhe eliminimin e pasojave socio-ekonomike të lidhura me frekuentimin e lojërave të fatit nga ana e personave që shfaqin probleme me përdorimin e lojërave të fatit, probleme, të cilat kërcënojnë seriozisht stabilitetin financiar familjar e individual të lojtarit.
3. Regjistri elektronik i personave, për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit apo në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike, ku mund të luhen lojëra fati, sipas kategorisë së licencuar (në vijim, Regjistri), administrohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit (në vijim, AMLF).
4. Regjistri do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë organizatorët e lojës së fatit të kategorisë përkatëse, të licencuar sipas ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
5. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me përkufizimet e përcaktuara në ligjin nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në ligjin nr.10 325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”.
II. RREGULLAT E DETAJUARA PËR PARAQITJEN, SHQYRTIMIN, MIRATIMIN, ANULIMIN APO REFUZIMIN E KËRKESËS PËR MOSLEJIM
1. Kërkesa për moslejimin e një personi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit apo në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike bëhet nëpërmjet portalit “e-Albania” nga vetë lojtari ose nga një prej familjarëve të tij, si bashkëshorti/ja, prindërit, fëmija i rritur ose një person tjetër, që jeton me lojtarin në të njëjtën familje. AMLF-ja ruan të dhënat e gjeneruara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Kërkesa për moslejimin për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit apo në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike plotësohet sipas formatit standard të miratuar dhe të publikuar nga AMLF-ja në faqen e saj të internetit.
3. Kërkesa përfshin informacionin, si: emrin dhe mbiemrin e lojtarit, letërnjoftimin/pasaportën, adresën dhe të dhënat e kontaktit, fotografinë e lojtarit, periudhën e moslejimit të kërkuar, si dhe llojin e lojërave për të cilat kërkohet moslejimi.
4. Në rastet kur kërkesa bëhet nga vetë lojtari, AMLF-ja, brenda 2 (dy) ditëve nga paraqitja e kërkesës, pas verifikimit të identitetit të kërkuesit, vendos për pranimin e kërkesës, duke bërë pasqyrimin në regjistër menjëherë. Kërkuesi njoftohet për vendimin me shkrim edhe nëpërmjet portalit “e-Albania”.
5. Vendimi përmban:
a) emrin dhe mbiemrin e lojtarit;
b) adresën dhe të dhënat e kontaktit të lojtarit;
c) afatin e moslejimit për të luajtur lojëra fati;
ç) llojin e lojës së fatit.
6. Në rastet kur kërkesa bëhet nga një prej familjarëve të lidhur me lojtarin, përveç informacionit të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu, kërkesa mund të shoqërohet me vetëdeklarimin që lojtari ka probleme serioze personale ose në familje nga përdorimi i lojërave të fatit. Deklarimi i problemeve me përdorimin e lojërave të fatit duhet të shoqërohet edhe me dokumentacion mjekësor apo i lidhur me procese gjyqësore/vendim gjyqësor, që faktojnë problemet e lojtarit me përdorimin e lojërave të fatit, probleme, të cilat kërcënojnë seriozisht stabilitetin financiar, familjar e individual të lojtarit.
7. Pas marrjes së kërkesës, titullari i AMLF-së, brenda 5 (pesë) ditëve, shqyrton dokumentacionin dhe vendos:
a) të miratojë kërkesën në rastet kur dokumentacioni është i plotë dhe përmban të dhëna identifikuese të qarta për gjendjen problematike të lojtarit, pa u kufizuar në vërtetimet/deklarimet e renditura në pikën 5 të këtij kreu; ose
b) të refuzojë kërkesën, duke sqaruar në vendim arsyet dhe shkaqet e refuzimit të kërkesës. Si shkaqe për refuzim kërkese janë kur kërkesa nuk është bërë nga personi i përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi dhe praktika dokumentare e paraqitur nuk identifikon apo provon gjendjen problematike të lojtarit në përdorimin e lojërave të fatit. Në rastet e miratimit të kërkesës, vendimi përmban të njëjtat elemente si në pikën 4 të këtij kreu.
8. AMLF-ja njofton kërkuesin me shkrim në adresë postare/nëpërmjet portalit “e-Albania” për vendimin e marrë.
9. Pas përfundimit të afatit të moslejimit, të miratuar sipas kërkesës, AMLF-ja fshin nga regjistri informacionin për moslejimin. AMLF-ja njofton lojtarin nëpërmjet portalit “e-Albania”.
10. Kërkuesi, ndaj të cilit është dhënë një vendim nga AMLF-ja për moslejimin për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit apo në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike, ka të drejtën të paraqesë një kërkesë anulimi të këtij vendimi pranë AMLF-së, por jo më parë se 3 (tre) muaj nga data hyrjes në fuqi të vendimit.
11. Kërkesa për anulim paraqitet nga personat e përcaktuar në pikën 1 të këtij kreu dhe përmban argumentet, arsyet e faktet, që provojnë ndryshimin e rrethanave mbi të cilat ishte akorduar vendimi për moslejimin e lojtarit, si dhe çdo dokumentacion shoqërues që disponon kërkuesi.
12. AMLF-ja shqyrton kërkesën për anulim vendimi brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e kësaj kërkese dhe vendos:
a) të miratojë kërkesën për anulimin e vendimit në rastet kur provohet dhe identifikohet qartë ndryshimi i rrethanave të lojtarit dhe nuk ekzistojnë më pengesat e shkaqet për moslejim të lojtarit për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit apo në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike; ose
b) të refuzojë kërkesën për anulim të vendimit, në rastet kur konstatohet se kërkesa e paraqitur nuk provon ndryshimin e rrethanave dhe të fakteve, mbi të cilat është marrë vendimi për moslejim të lojtarit.
13. AMLF-ja njofton kërkuesin me shkrim në adresë postare/nëpërmjet portalit “e-Albania” për vendimin e marrë.
III. RREGULLAT E MBAJTJES E TË FUNKSIONIMIT TË REGJISTRIT TË PERSONAVE, PËR TË CILËT ËSHTË VENDOSUR MOSLEJIMI PËR T’U FUTUR NË AMBIENTET E LOJËRAVE TË FATIT
1. Të dhënat parësore janë të dhënat e mbledhura nga AMLF-ja. Të dhënat parësore janë të dhënat e mëposhtme:
a) Kodi unik identifikues i lojtarit që nuk lejohet;
b) Kërkesa/formulari i aplikimit;
c) Dokumenti shoqërues mjekësor apo i lidhur me procese gjyqësore/vendim gjyqësor, nëse ka;
ç) Statusi i kërkesës;
d) Lloji i lojës, për të cilën zbatohet moslejimi;
dh) Periudha e moslejimit, nga ______ deri _________.
2. Të dhënat dytësore, të cilat merren nga një bazë tjetër të dhënash, ku ato janë parësore dhe me të cilat ndërvepron, janë, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat e individit dhe adresa nga baza e të dhënave shtetërore “Regjistri kombëtar i gjendjes civile” dhe “Regjistri kombëtar i adresave”, të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
b) Informacioni i kontaktit nga baza e të dhënave shtetërore, portali unik qeveritar “e-Albania”;
c) Të dhënat e subjektit (NUIS), organizatori i licencuar nga baza e të dhënave shtetërore Regjistri Tregtar dhe Regjistri Kombëtar i Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve, të administruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit (për identifikimin e subjekteve, të cilat do të kenë akses në listën e personave që nuk lejohen).
3. Të gjitha veprimet e kryera në bazën e të dhënave janë të gjurmueshme e të dokumentuara dhe ruhen duke përdorur kodin identifikues të personit të ngarkuar që ka kryer veprimin, datën e orën e konsultimit, fjalët kyç të përdorura për kërkimin, numrin e dosjes dhe të dhënat e konsultuara.
4. AMLF-ja është përgjegjëse për menaxhimin, në përputhje me këtë vendim, të informacionit e aksesimit në bazën e të dhënave. Në rast të konstatimit të veprimeve të paautorizuara dhe të veprimeve që keqpërdorin të dhënat personale, AMLF-ja pezullon menjëherë aksesin e personit, i cili ka vepruar në kundërshtim me ligjin apo udhëzimet e procedurat për administrimin e bazës së të dhënave. Pezullimi i aksesit nuk përjashton përgjegjësinë disiplinore administrative, civile ose penale.
5. Mirëmbajtja dhe funksionimi i regjistrit bëhen në përputhje me kërkesat dhe rregullat për administrimin e bazës së të dhënave, masat e marra për sigurinë e bazës së të dhënave të miratuara nga titullari i AMLF-së.
6. Niveli i aksesit në bazën e të dhënave është, si më poshtë vijon:
a) AMLF-ja ka të drejta të plota administrative mbi bazën e të dhënave në rolet:
i. administrator;
ii. editues;
iii. lexues.
b) Organizatori i licencuar i lojërave të fatit ka të drejta vetëm për shikim (lexues).
7. Regjistri do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë organizatorët e lojës së kategorisë përkatëse, nëpërmjet kredencialeve të vendosura në dispozicion nga AMLF-ja.
8. AMLF-ja, në cilësinë e “kontrolluesit”, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, dokumenton masat tekniko-organizative të përshtatura e të zbatuara për garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale.
9. Deri në ngritjen e regjistrit elektronik, kërkesa bëhet me shkrim. AMLF-ja informon të gjitha shoqëritë që veprojnë në fushën e lojërave të fatit lidhur me lojtarët e pasqyruar në regjistër, si dhe për ndryshimet e të dhënave të tyre.
10. AMLF-ja ndërmerr të gjitha masat e nevojshme teknike dhe organizative për sigurimin e një ndërveprimi të kontrolluar dhe të mbrojtur me subjektet e licencuara, duke garantuar që çdo akses apo shkëmbim i informacionit të realizohet në mënyrë të sigurt, të dokumentuar e të gjurmueshme, në përputhje me kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale në të gjitha fazat e ngritjes dhe të funksionimit të regjistrit.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Kërkesat për moslejimin për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit apo në faqe interneti, në aplikacione ose në platformë elektronike, ku mund të luhen lojëra fati, të kryera përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, mbeten në fuqi dhe mund të revokohen me kërkesë të personit që ka kërkuar moslejimin ose me kërkesë të vetë personit të ndaluar.
2. Ngarkohet Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Treguesit e transportit, në Kosovë në 2025 u rrit numri i fluturimeve dhe udhëtarëve
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se në vitin 2025 është rritur numri i fluturimeve dhe udhëtarëve krahasuar me vitin 2024. ASK njofton se......
SHBA i bën thirrje stafit të largohet nga Izraeli mes tensioneve me Iranin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u thanë disa prej stafit të ambasadës se mund të largoheshin nga Izraeli — dhe se ata që duan duhet ta bëjnë këtë shpejt —......
Paketa ligjore, matematikë politike me pagat e funksionarëve në Maqedoninë e Veriut
A do të ulen apo do të rriten pagat e funksionarëve është pyetja që u shtrua në publik pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me procedurë të përshpejtuar,......
Krijohet Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar/ Synohet kontroll i shkollave në të gjithë vendin
Qeveria ka miratuar krijimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar (IQAP), një strukturë e re që do të ushtrojë funksionin e inspektimit në të......
ACRIS, regjistri që digjitalizon kërkimin shkencor/ Transparencë mbi projektet, fondet publike dhe kontributin akademik
Qeveria ka miratuar vendimin për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit Shqiptar të Informacionit të Kërkimit Shkencor (ACRIS), një platformë......
Pagat e mësuesëve, policëve dhe ushtarakëve indeksohen me 2,5%
Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi indeksimin me 2,5% të pagave të mësuesve të ciklit parauniversitar, policëve dhe ushtarakëve. Në vijim......
Vetmia në rritje dhe kapacitetet e kufizuara për të moshuarit - Kuka: Kërkesa për strehimin e të moshuarve është shumë e lartë
Plakja e popullsisë, emigracioni dhe ndryshimi i strukturës familjare po e shtyjnë sistemin social drejt sprovave të vazhdueshme. Në Shqipëri ka vetëm 6......
OBP forcon rritjen e pjesëmarrjes së bizneseve në prokurime - Ibrahimaj: Më shumë sipërmarrje në tenderë, më shumë transparencë për tregun
Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvilloi sot forumin me temë “Nxitja e pjesëmarrjes së bizneseve në procedurat e prokurimit të OBP”, një aktivitet që......


