Amerika Postuar më 20 Dhjetor 2025, 11:20

9 kompani farmaceutike ulin çmimet në SHBA - Kompanitë do të përjashtohen nga tarifat e vendosura nga Trump

Nga Lidion Kulla

9 kompani farmaceutike ulin çmimet në SHBA - Kompanitë do

Disa nga prodhuesit më të mëdhenj farmaceutikë me bazë në SHBA dhe në Europë nënshkruan një marrëveshje me Presidentin Donald Trump, për ti shitur vullnetarisht ilaçet e tyre, me një çmim më të ulët. Mes këtyre kompanive përfshihen, Merck, Bristol Myers Squibb, Amgen, Gilead, GSK, Sanofi, Genentech i Roche, Boehringer Ingelheim dhe Novartis. Në këmbim, kompanitë ranë dakord që për një periudhë 3-vjeçare të mos paguajnë tarifat e planifikuara nga Trump, për produktet farmaceutike, për sa kohë që prodhuesit do të investojnë më tej për të prodhuar në SHBA.

Ndër premtimet më të spikatura ishte ai i Bristol Myers Squibb, që tha se do të ofrojë falas holluesin e gjakut Eliquis, si pjesë e programit Medicare. Kompanitë përbëjnë shumicën e 17 prodhuesve të ilaçeve të cilëve Trump u dërgoi letra në muajin korrik, duke u bërë thirrje atyre të ulnin çmimet si pjesë e politikës së tij, “kombi më i favorizuar”.

“Që nga sot, 14 nga 17 kompanitë më të mëdha farmaceutike kanë rënë dakord të ulin në mënyrë drastike çmimet e barnave për popullin amerikan dhe pacientët amerikanë”, tha Trump. “Kjo përfaqëson fitoren më të madhe për të pasur çmime të përballueshme për pacientët në historinë e kujdesit shëndetësor amerikan dhe çdo qytetar do të përfitojë”, shtoi Trump.

Johnson & Johnson, AbbVie dhe Regeneron janë mes kompanive të mëdha që nuk kanë nënshkruar ende marrëveshjet për çmimet e barnave. Por Trump vuri në dukje se Johnson & Johnson do të firmos javën e ardhshme.

Megjithatë, kushtet e plota të marrëveshjeve nuk u publikuan, që e bën të paqartë se sa i madh do të jetë ndikimi i tyre. Trump tha se prodhuesit farmaceutikë ranë dakord të listojnë ilaçet e tyre kryesore në faqen e internetit për konsumatorët, TrumpRx, e cila do të lançohet në janar.

Disa kompani lançuan gjithashtu oferta të reja ose zgjeruan ofertat ekzistuese direkt te konsumatori për disa barna. Përshembull, Sanofi tha se do të ofrojë zbritje prej 70% për ilaçe të caktuara për të trajtuar infeksionet dhe gjendjet kardiovaskulare dhe diabetike në TrumpRx dhe platforma të tjera direkte për konsumatorin.

Më herët kompani si, Pfizer, AstraZeneca, Eli Lilly dhe Novo Nordisk kishin arritur marrëveshje me administratën Trump për të ulur çmimet.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat